Zogaj i përgjigjet Kurtit: Ironi e madhe që ata që e bllokuan Unazën e Jashtme flasin sot për bllokim
Ish-nënkryetari i Prishtinës dhe deputeti Alban Zogaj ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mbrëmë gjatë një tubimi tha se me kandidatin e tij për kryetar të Prishtinës, Hajredin Kuçi, Qeveria do të japë mbështetjen për Unazën e Jashtme të qytetit “në kohë rekorde”.
“Besoni ose jo, këtë fjali e ka thënë mbrëmë Albin Kurti: ‘Me Hajron kryetar, në kohë rekorde do të japim mbështetjen për Unazën e Jashtme të qytetit, dhe puna do të fillojë brenda pak muajsh, sepse nuk e durojmë dot më bllokimin’,” ka shkruar Zogaj.
Ai ka theksuar se ironia më e madhe qëndron në faktin se, sipas tij, “pikërisht ata që e kanë bllokuar këtë projekt për katër vite me radhë, sot flasin për bllokim”.
“Për çfarë bllokimi po flasim, z. Kurti? Për atë bllokim që e keni instaluar vetë, që nga dita e parë?”, ka përfunduar Zogaj në reagimin e tij./Kosova.info/
