Zhgënjimi nga humbja nuk i jep të drejtë Labinot Gjinit të sulmojë padrejtësisht të tjerët

Opinion: Emanuel Demaj

Me keqardhje kemi lexuar reagimin e Degës së AAK-së në Viti, nënshkruar nga z. Labinot Gjini, në të cilin përmendet emri i priftit të famullisë së Stubllës, Don Fatmir Koliqi, në mënyrë të papërshtatshme, ofenduese dhe krejtësisht të pabazë.

Së pari, dëshirojmë të sqarojmë se Don Fatmir Koliqi është përgjegjës shpirtëror dhe kishtar për famullitë e Stubllës, Vernakollës dhe Letnicës, dhe çdo pjesëmarrje e tij në aktivitete publike që lidhen me këto zona është plotësisht në përputhje me detyrën e tij kishtare dhe shoqërore. Pjesëmarrja e tij në inaugurimin e rrugës së Vernakollës apo në drekën pas inaugurimit në restorantin “Jozefi” nuk kishte asnjë karakter politik, por ishte e lidhur drejtpërdrejt me funksionin e tij fetar dhe përfaqësues të komunitetit lokal.

Në inaugurim ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, në cilësinë e tij institucionale, jo partiake. Është krejt e natyrshme që një prift, i cili kujdeset për kishat dhe besimtarët e atij territori, të marrë pjesë në një ngjarje që lidhet me zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e infrastrukturës së komunitetit të tij. Kjo nuk përbën as fushatë zgjedhore, as angazhim partiak, por pjesëmarrje qytetare dhe respekt ndaj institucioneve vendore.

Prandaj, të thuash se Don Fatmir Koliqi është “militant politik” apo “pjesë e strukturave të LDK-së” është një shpifje e rëndë, një ofendim i panevojshëm për të dhe për mbarë komunitetin katolik të zonës së Stubllës, i cili e njeh më mirë se kushdo tjetër përkushtimin e tij në shërbim të njerëzve, pa dallime politike apo partiake.

Z. Labinot, ky reagim i juaji është i dëmshëm jo vetëm për një njeri të respektuar si Don Fatmiri, por edhe për kredibilitetin tuaj si përfaqësues politik. Të ngatërrosh pjesëmarrjen e një prifti në një inaugurim publik me aktivizëm politik, nuk i shërben as demokracisë, as kulturës sonë qytetare. Për më tepër, përdorimi i një gjuhe përçmuese ndaj një kleriku fetar është diçka që nuk i shkon për fytyrë asnjë udhëheqësi lokal.

E kuptojmë se humbjet në politikë mund të sjellin zhgënjim, por nuk është e drejtë që fajtorët të kërkohen tek priftërinjtë apo hoxhallarët. Arsyet e mungesës së mbështetjes politike nuk duhen kërkuar në institucione fetare, por në mungesën e besueshmërisë, rezultateve dhe orientimit të vetë subjekteve politike. Subjekti që përfaqësoni në Viti, për fat të keq, prej vitesh nuk ka arritur të krijojë as ndikim e as besim në qytetarë dhe ky fakt nuk mund të fshihet duke sulmuar njerëz që s’kanë lidhje me politikën.

Në fund, po ju kujtojmë se respekti ndaj fesë, ndaj figurave fetare dhe institucioneve shpirtërore është një vlerë që duhet mbrojtur nga të gjithë ne, pa dallim partie. Përçarja e komunitetit për interesa të vogla elektorale është rruga më e gabuar për një shoqëri që synon zhvillim, harmoni dhe mirëkuptim.

Don Fatmir Koliqi ka qenë, është dhe mbetet prift dhe shërbestar i njerëzve, jo militant partie. Ai është i përfshirë në jetën e komunitetit për të mirën e njerëzve dhe nuk meriton që emri i tij të përdoret në debate të ulëta politike./Kosova.info/


Go to TOP