Zgjedhjet në veri duhet të mbahen, ish-shefi i KQZ-së: Ambasadorët të mos sillen si në “shtëpi të babës”

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, vlerëson se s’ka nevojë për shtyrje të zgjedhjeve në komunat veriore, ani se pohon se gjendja në veri të vendit nuk është e mirë.

Baraliu, në një prononcim për Klankosova.tv, thotë se gjendja nuk është alarmante sa po paraqitet në disa çarqe të mediave dhe nga disa ndërkombëtarë.

“Nuk është situatë e jashtëzakonshme, zgjedhjet duhet të mbahen me kushte minimale siç edhe janë mbajtur gjithmonë dhe nuk ka asgjë alarmante pasi zgjedhjet edhe mbikëqyren nga OBSE-ja”.

“Duhet vlerësuar situata e sigurisë pasi siguria e qytetarëve është mbi gjithçka tjetër. Por, nuk është gjendja e mirë – por as aq alarmante sa po transmetohet në çarqe të disa mediave dhe disa çarqe diplomatike”, tha Baraliu për Klankosova.tv.

Madje, Baraliu thotë për ambasadorët se po sillen si në “shtëpi të babës” dhe se shtyrja e zgjedhjeve nuk është aspak në kompetencat e tyre, prandaj thotë se nuk do duhej të kërkonin një gjë të tillë.

“Presidentja e vendit, siç u bë e ditur edhe dje, duhet të marrë një vlerësim nga institucionet e sigurisë dhe të vendos rreth shtyrjes ose jo të zgjedhjeve. Të mos harrojmë se në veri, pos Policisë së Kosovës, është edhe KFOR-i dhe EULEX-i që monitorojnë gjendjen e sigurisë”.

“Pra ky vendim i takon presidentes dhe assesi nuk duhet të ketë ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Zgjedhjet duhet të mbahen dhe shteti nuk duhet të shantazhohet nga grupet kriminale të udhëhequra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ndërkombëtarët nuk duhet të bëjnë tejkalimin e autoriteteve pasi e kanë bërë Kosovën si ‘shtëpi të babës’”.

“Ata [ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë] nuk janë të thirrur për këtë dhe nuk do të duhej që të ndikojnë në këto vendime, madje, edhe po të jetë e nevojshme, nuk duhet t’i nxisin këto veprime pasi duhet të respektohet ligji dhe kushtetutshmëria e Kosovës. Ata po sillen sikur guvernatorë e që në të vërtetë ata do të duhej që të lejojnë shtetin të veprojë sipas ligjeve e rregullave e jo ta pengojnë”, u shpreh Baraliu për Klan Kosovën.

Gjatë ditëve të fundit, në pjesën veriore të vendit gjendja e sigurisë u përkeqësua. Fillimisht u demolua objekti i Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, ku u gjet edhe një granatë e pashpërthyer dore, ndërsa pati edhe shpërthime tjera, hedhje të shok-bombave e gjuajtje me armë.

Lidhur me këto sulme ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ai gjerman, Jorn Rohde si dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, mes të tjerëve.

Incidentet shkaktuan pengesa në përgatitjen e zgjedhjeve për katër komunat veriore, ku iu pamundësua shkuarja në zyra zyrtarëve komunalë të Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, konsideroi se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Gjatë ditës së djeshme, Zyra e Presidentes bëri të ditur se ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani, për Klankosova.tv dje tha se vlerësimi për shtyrjen e datës i takon institucioneve të Kosovës në bazë të kritereve specifike.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”.

Kupina, mes tjerash, bëri të ditur se janë në kontakt ndërinstitucional në rast se vjen ndonjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, tha Kupina për Klankosova.tv.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, dje tha se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

Kryeziu tha se zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë dhe pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë.

“Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar më tej Kryeziu.

Go to TOP