Sadiku: Retorika e Vuçiqit për Kosovën lidhet me krizën e brendshme në Serbi
Analisti Arbnor Sadiku vlerëson se deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për Kosovën nuk janë të reja, por përfaqësojnë një model të njohur politik, ku retorika nacionaliste intensifikohet në periudha të krizave të brendshme.
Në një analizë të publikuar, Sadiku thekson se sa herë qeveritë përballen me rënie të besimit të qytetarëve, protesta dhe mungesë të rezultateve ekonomike, shpesh përdorin temat kombëtare për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme.
Sipas tij, deri në fund të vitit mund të bëhet më e qartë e ardhmja politike në Serbi, nëse Vuçiq e konkretizon dorëheqjen që ka paralajmëruar. Ai ngre pyetjen nëse vendi do të hyjë në një kapitull të ri politik apo do të vazhdojë me të njëjtën qasje.
Sadiku vlerëson se aktualisht nuk duket se në Serbi ekziston një alternativë demokratike e konsoliduar, e aftë të ndërtojë politika të bazuara në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe marrëdhënie të mira me fqinjët.
Në analizën e tij, ai rikujton edhe të kaluarën politike të Vuçiqit duke theksuar se ai e nisi karrierën në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe më pas shërbeu si ministër i Informimit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë. Sadiku përmend gjithashtu se dokumentari Sarajevo Safari ka ngritur pretendime serioze lidhur me krime gjatë rrethimit të Sarajevës, por thekson se këto pretendime nuk kanë rezultuar me ndonjë vendim gjyqësor që ta shpallë Vuçiqin përgjegjës.
Në fund, ai ngre pyetjen se çfarë qasjeje do të mbajnë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndaj Serbisë, ndërsa vëren se Rusia dhe Kina kanë mbështetur vazhdimisht pozicionet e Beogradit për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Sipas Sadikut, paqja dhe stabiliteti në Ballkan mund të ndërtohen vetëm përmes demokracisë funksionale, zhvillimit ekonomik, institucioneve të forta dhe respektit për fqinjët. /Kosova.info/
