Zgjedhjet në Çeki, kryeson ish-kryeministri Babish

Ish-kryeministri Andrej Babish, siç pritej, duket se po shkon drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të Çekisë. Me një të tretën e votave të numëruara, partia e tij ANO ka mbi 38 për qind.

Aleanca e Qendrës së Djathtë “Së Bashku”, e kryeministrit aktual Petr Fiala, ka rreth 20 për qind.

71-vjeçari Andrej Babish shihej më parë si liberal, por ka zhvendosur partinë e tij “ANO” (“Po” në çekisht) gjithnjë e më shumë në drjetimin politik të së djathtës, raporton kanali televiziv ČT24.

 “Asgjë nuk është e sigurt, nuk kemi fituar ende”, tha Babish gjatë votimit në Ostrava më herët të shtunën.

“ANO” doli partia më e madhe edhe në zgjedhjet e vitit 2021, por atëherë nuk arriti të formonte qeverinë.

Nëse Babish merr mundësinë të formojë qeverinë, Çekia ka gjasa se mund të ndalojë e mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Babish ka përqafuar një qëndrim “Çekia e para” dhe ka marrëdhënie miqësore me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, dhe atë të Sllovakisë, Robert Fico, të cilët të dy qëndrojnë dukshëm më afër Vladimir Putinit të Rusisë, sesa shumë liderë të tjerë evropianë, raportojnë mediet e huaja.

Përveç ndalimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, Babish dëshiron gjithashtu të shkurtojë angazhimin e BE-së në luftën kundër krizës klimatike.

Qendrat e votimit u hapën të premten dhe u mbyllën në orën 14:00 të së shtunës. Një rezultat përfundimtar pritet gjatë mbrëmjes.

“ANO” ka qenë partia më e madhe në sondazhet e opinionit para zgjedhjeve.


Go to TOP