Paketa e re e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë nxjerr në pah ndarjet e vazhdueshme

Shumë diplomatë të Bashkimit Evropian mendonin se miratimi i sanksioneve ndaj Rusisë do të bëhej më i lehtë pas largimit në maj të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orban, pas 16 vjetësh në pushtet.

Duke qenë se shihej si udhëheqësi më miqësor ndaj Kremlinit në bllok, politikanë dhe diplomatë të tjerë evropianë shpesh ishin ankuar se Budapesti kishte zbutur si vendosjen në listën e zezë të individëve kryesorë rusë, ashtu edhe masat që synonin dobësimin e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Moskës.

Prandaj, pritshmëritë ishin të larta kur propozimi i Komisionit Evropian për paketën e 21-të të sanksioneve të BE-së qëkurse nisi pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt 2022 mbërriti në kryeqytetet evropiane në fillim të qershorit.

Dhe draftet e para, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregonin se kjo paketë ishte vërtet e mbushur me masa ambicioze.

Ende pa marrëveshje

Megjithatë, pothuajse gjashtë javë më vonë, ende nuk ka marrëveshje për të gjithë paketën, pasi të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së duhet të japin pëlqimin e tyre.

Një afat i vetëvendosur për 15 korrik – takimi i fundit i planifikuar të mërkurën i ambasadorëve të BE-së para ditës kombëtare të Belgjikës më 21 korrik, kur shumica e zyrtarëve të BE-së largohen për pushime në plazh deri në një muaj – kaloi pa ndonjë rezultat.

Dhe për më tepër – pothuajse çdo masë është kufizuar ose hequr në një shkallë të tillë që diplomatët e BE-së me të cilët ka folur REL-i tani i referohen paketës si “Emmental”, sipas djathit të famshëm zviceran të mbushur me vrima.

Një nga propozimet kryesore ishte ndalimi i importit të peshkut rus – veçanërisht merlucit, kolesë dhe pollokut. Por, disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Portugalinë, filluan të kërkonin përjashtime, pasi peshku rus përdoret për përpunimin vendas të ushqimit, duke përfshirë prodhimin e produkteve të peshkut. Në fund, masa u zbut aq shumë sa u hoq tërësisht.

Një histori e ngjashme ndodhi edhe me një tjetër propozim të madh: ndalimin automatik të hyrjes në zonën Shengen të ish-luftëtarëve rusë në Ukrainë.

Estonia e kishte kërkuar me ngulm këtë masë, pasi gjatë vitit 2025 pati rritje prej 10 për qind të vizave turistike të lëshuara për shtetasit rusë krahasuar me vitin e kaluar, me Francën, Italinë dhe Spanjën që përbënin shumicën dërrmuese të tyre.

Pasi shumë vende mesdhetare nuk ishin të gatshme ta kufizonin turizmin – i cili është burim i madh të ardhurash – përpara një vere tjetër që pritet të jetë shumë e suksesshme, nuk u mor asnjë vendim konkret.

Në vend të kësaj, do të ketë vetëm një zotim për të kërkuar ndryshime në kodin e vizave Shengen për të ndaluar vizat afatshkurtra për ushtarët dhe ish-luftëtarët, nëse mund të arrihet njëzëshmëri e nevojshme.

Si të sanksionohet nafta?

Ka pasur gjithashtu shumë debate dhe shqetësime rreth kufirit të çmimit për naftën së papërpunuar Urals – përzierja kryesore e eksportit të Rusisë dhe një burim i konsiderueshëm të ardhurash për Kremlinin – pasi transporti i naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit muajt e fundit është ndalur ose është kufizuar shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Propozimi fillestar i Komisionit Evropian ishte ngrirja e kufirit për gjashtë muaj në 44.10 dollarë për fuçi, në mënyrë që të shmangej rritja automatike në 60 dollarë më 15 korrik, gjë që do t’i siguronte një rritje të madhe arkës së luftës së Rusisë.

Më pas, kjo periudhë u reduktua në tre muaj, para se ambasadorët e BE-së, duke iu afruar në mënyrë të rrezikshme afatit në fillim të kësaj jave, të binin dakord ta zgjasnin atë vetëm për shtatë ditë, deri më 23 korrik.

Ata do të takohen përsëri më 22 korrik me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare, por e gjithë çështja është ndërlikuar nga kërkesa e Greqisë për një përjashtim pa afat nga një marrëveshje e bërë në tetor 2025 për ndalimin e dërgesave të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) nga BE-ja drejt vendeve jashtë bllokut, duke filluar nga 1 janari 2027.

Diplomatët e BE-së thonë se Athina argumenton se, nëse kompanive të BE-së u ndalohet transporti i LNG-së ruse drejt klientëve jashtë bllokut, biznesi thjesht do të zhvendoset te kompani transporti dhe porte jashtë BE-së, ndërsa Rusia do të vazhdojë të eksportojë karburantin.

Greqia thotë se për këtë arsye do të ishte më mirë që kompanitë e saj të vazhdonin t’i kryenin këto transportime.

Komisioni Evropian tani do të kryejë një vlerësim të shpejtë të ndikimit për të përcaktuar se sa mund të fitojë ose humbasë Rusia nëse miratohet ky përjashtim.

Austria gjithashtu ka penguar miratimin e paketës duke kërkuar që banka e saj Raiffeisen të kompensohet për atë që Vjena pretendon se ishte një shpronësim prej 2.5 miliardë eurosh i operacioneve të saj në Rusi.

Vendi i Evropës Qendrore tentoi të njëjtën gjë edhe vitin e kaluar, duke i kërkuar Brukselit të konfiskonte dhe të shiste asete ruse të ngrira me vlerë 2 miliardë euro në Austri, shumica e të cilave përbëhen nga një pjesë aksionesh në grupin austriak të ndërtimit Strabag, që më parë mbahej nga Rasperia, një kompani dikur nën kontrollin e oligarkut rus Oleg Deripaska.

Austria argumenton se me këto të ardhura duhet të kompensohet Raiffeisen për humbjet që rrjedhin nga një vendim i gjykatës ruse në favor të Rasperias, një çështje që rezultoi në konfiskimin e operacioneve ruse të bankës.

Austria ka argumentuar se shumica e parave do të shkonin në një fond rindërtimi për Ukrainën dhe se kjo lëvizje do ta pengonte Kremlinin në të ardhmen që t’i përdorë vendimet e gjykatave ruse për të konfiskuar asetet e BE-së në Rusi.

Megjithatë, shtetet e tjera anëtare besojnë se një veprim i tillë do të rezultonte që Moska të inkurajohej të shënjestronte kompani të tjera evropiane që ende ndodhen në vend.

Ato gjithashtu kanë shprehur bezdi ndaj idesë që BE-ja ta ndihmojë Raiffeisenin, e cila ka zgjedhur të qëndrojë në Rusi për të bërë biznes, ndërsa shumë qeveri të tjera evropiane vazhdimisht u kanë kërkuar kompanitë të tyre të largohen nga ai treg.

Përfundimisht, pritet që paketa të ketë shtim të numrit të bankave ruse në listën e zezë, si dhe të anijeve që besohet se janë pjesë e flotës së fshehtë ruse, e cila përdoret për t’i shmangur sanksionet ndaj naftës.

Mbi 250 individëve dhe kompanive ruse do t’iu ngrihen gjithashtu asetet. Ata gjithashtu do të përballen me ndalime vizash, përfshirë Arkadi Dvorkovich, ish-zëvendëskryeministër rus, i cili tani drejton Federatën Ndërkombëtare të Shahut, dhe ministrin rus të Sportit, Mikhail Degtyarev.

Por, edhe këtu lista është zbutur.

Bullgaria ishte e shpejtë në vendosjen e vetos ndaj përfshirjes së tre emrave që ishin në propozimin fillestar: Patriarku Kirill, udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse; Vagit Alekperov, drejtuesi i kompanisë më të madhe private të naftës në Rusi, Lukoil; dhe miliarderi rus Iskandar Makhmudov, kompanitë e të cilit furnizojnë pjesë këmbimi për sistemin e metrosë në kryeqytetin bullgar, Sofje.

Go to TOP