Zëvendësministri i Punëve të Jashtme nuk i komenton deklaratat e Gërvallës kundër administratës Trump

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kanë përshëndetur fitoren e Donald Trump si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ahmeti theksoi se liderët e Kosovës shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me administratën e re amerikane.

“Siç e dini, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla e kanë uruar presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë dhe vullnetin për të punuar bashkë për paqe dhe progres,” deklaroi Ahmeti për rtv21. Ai shtoi se ShBA-të mbeten aleatët dhe partnerët kryesorë të Kosovës, me shumë fusha interesi të përbashkët ku dy vendet do të punojnë ngushtë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë paralajmëruar se qëndrimet e shprehura nga Gërvalla në vitin 2021 kundër administratës Trump mund të ndikojnë në marrëdhëniet e ardhshme me SHBA-të. Megjithatë, Ahmeti nuk i komentoi deklaratat e vitit 2021, por e fokusoi fjalën e tij te përkushtimi për bashkëpunim me administratën e re amerikane.

Go to TOP