Zeka: Moszgjidhja e problemeve me Serbinë po i kushton Kosovës

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se moszgjidhja e problemeve me Serbinë ka ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kosova perceptohet si vend që ka çështje të pazgjidhura me fqinjët e saj, në këtë rast me Serbinë dhe rrjedhimisht shihet si vend që ofron pasiguri të madhe politike, juridike dhe si vend i cili në aspektin e investimeve prej investitorëve shihet si vend me rrezik të lartë, rrjedhimisht ndodhë kjo që po ndodhë tash e sa vite në vendin tonë ku ne nuk kemi asnjë korporatë serioze që ia mësynë Kosovës” tha Zeka.

Sipas Zekës, Kosova po humbë mundësi të cilat do t’i kishte sikur të kishim raporte normale me Serbinë, derisa raportet me Kosovën nuk kanë ndikim në ekonominë e shtetit serb.

“Kemi dashur të ua bëjmë me dije qytetarëve të vendit dhe atyre që kanë marrë përgjegjësi për udhëheqjen e vendit, domethënë dështojmë në tërheqjen e investimeve të huaja, u humbim kompanive kosovare mundësi për tregti brenda kufijve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai në KlanKosova.

“Por edhe probleme të tjera të natyrës së transportit, logjistikës dhe kalimit transit nëpërmjet Serbisë për aq kohë sa nuk e përshpejtojmë normalizimin e raporteve me Serbinë, ne jemi pala që po humbasim, pala tjetër nuk humbet, sepse ka subjekt më të fuqishëm ndërkombëtar, askush nuk ia konteston shtetësinë”, tha Zeka.

Go to TOP