Zbardhet rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, Balla: Së shpejti nxjerrim një dokument për luftën në Kosovë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka paraqitur sot në Kuvend një draft rezolutë për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit serb në Srebrenicë.

Drafti pritet të miratohet në seancën parlamentare të datës 7 korrik.

Në një komunikim me gazetarët pasi dorëzoi në Kuvend rezolutën për Srebrenicën, Balla është shprehur se mazhoranca do të vijë së shpejti edhe me një dokument tjetër që lidhet me luftën në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të ecim me një agjendë shumë komplekse. Do të kemi së shpejti në ditët në vijim një dokument tjetër që lidhet me luftën në Kosovë, që lidhet me krimet në Kosovës, por që është një dokument shumë kuptimplotë për të sqaruar njëherë e përgjithmonë gjithçka që lidhet me luftën në Kosovë dhe për të ngritur lart vlerat e UÇK pas përpjekjeve të herë pas hershme që janë bërë. Mos harroni ka pasur edhe individë të politikës shqiptare që kanë hedhur baltë mbi UÇK. Njërin prej ta e njihni fare mirë për cilin bëhet fjalë. Mos kini asnjë dyshim”, tha Balla për gazetarët.

Ndërkohë, në tekstin e rezolutës për Srebrenicën thuhet se Kuvendi i Shqipërisë “konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit”.

Në të njëjtën kohë Kuvendi “Dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi, si dhe konsideron të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit”.

Me miratimin e kësaj resolute javën e ardhshme 11 korriku do të shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Go to TOP