VV’ja për asambleistin e LDK’së që e lagu me ujë Drejtorin e Arsimit: S’është hera e parë që bën sjellje të tilla

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka reaguar për eskalimin e situatës në Kuvendin Komunal, ku asambleisti i LDK’së, Ekrem Rrahmani, e lagu me ujë Drejtorin e Arsimit nga radhët e VV’së, Avni Fetahun, gjatë një diskutimi për arsim.

Nga kjo parti e kanë cilësuar sjelljen e Rrahmanit si të papranueshme.

Sipas VV’së, “kjo nuk është hera e parë që asamblisti Rrahmani bën sjellje që nuk përkojnë me kulturën parlamentare”.

“Sjellja e dhunshme e asamblistit Ekrem Rrahmani nga radhët e LDK-së, njëherit anëtar kryesie në degën e kësaj partie, në seancen e Kuvendit Komunal, i cili e sulmoi me ujë drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu, derisa ai po paraqiste sukseset e qeverisjes komunale në fushën e arsimit, është e papranueshme dhe e dënojmë ashpër këtë sulm.

Kjo nuk është hera e parë që asamblisti Rrahmani bën sjellje që nuk përkojnë me kulturën parlamentare. Këshilltarët me sjellje të tilla arrogante e vulgare nuk kanë vend në Kuvendin Komunal të Podujevës. Presim që grupi i këshilltarëve të LDK-së të reflektojë dhe të distancohet nga veprimet e tilla të këshilltarit të tyre”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Go to TOP