Vuçiq: Kurti kërkon që Serbia të hyjë në konflikt me NATO-n, s’mund të flas sonte për zgjedhje të reja në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sonte ka thënë se tensionet në veri i a filluar Policia e Kosovës, jo NATO-ja.

“Para këtij emisioni, pesë këshilltarë që merren me këtë punë dhe që kanë për detyrë të më vënë në dukje gabimet e mia, më kanë thënë që të mos bëhem inatçi dhe të mos jem pesimist. Mendoj se këto foto janë të tmerrshme dhe të zgjedhura qëllimisht kundër serbëve, sepse nuk tregohet se kush e filloi konfliktin. Nuk e nisi NATO-ja, por Policia e Kosovës”, tha Vuçiq për pamjet e konfliktit të fundit mes serbëve vendas dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan dhe shtoi:

“Të gjithë në Perëndim e dinë se fajin e ka Prishtina dhe fajin e ka Kurti. Nuk kemi asgjë për të fituar nga kjo, sepse ai e di se çfarëdo që të bëjë, amerikanët, anglezët dhe gjermanët do të jenë në favor të ruajtjes së të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës dhe mos lejimit të serbëve që të kërcënojnë integritetin territorial të Kosovës“, shtoi Vuçiq në Tv Prva.

Vuçiq theksoi se Kurti “dëshiron që Serbia dhe NATO të hyjnë në konflikt” dhe shtoi se kjo nuk është në interesin e Serbisë.

Ai deklaroi se biseda e djeshme me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Solc ishte një “bisedë shumë e vështirë”.

“Kjo ishte shfaqja ime më e mprehtë, por e qytetëruar”, pohon Vuçiq.

I pyetur nëse zgjidhja është të shkojmë në zgjedhje të reja lokale në komunat veriore të Kosovës, Vuçiq është përgjigjur se “nuk di çfarë të thotë”. “Më lejoni të bisedoj, do të flasim vetëm nga e marta”, tha Vuçiq.

“Duhet të shohim se çfarë duan të fitojnë njerëzit tanë, nëse ka diçka për të fituar, ne jemi gjithmonë të gatshëm për kompromis”, tha Vuçiq dhe shtoi se e presin “ditë të vështira”. 

Go to TOP