Vuçiq akuzon Perëndimin për mbështetje të Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Serbia po vazhdon të përballet me presione dhe veprime të autoriteteve të Kosovës, sipas tij, të mbështetura nga Perëndimi.

Gjatë një adresimi për opinionin në Serbi, duke folur për arrestimet e sotme në Syriganë të Skenderajt, ku nën pranga përfunduan pesë persona të dyshuar për krime lufte lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në vitin 1998, Vuçiq tha se autoritetet në Prishtinë e kanë mbështetjen e vendeve të Perëndimit.

“Edhe sot po na i burgosin njerëzit. Prishtina për gjithçka shikon nga Zagrebi, por në fund të fundit ata kanë mbështetjen e heshtur të botës perëndimore. Kurse ne nuk guxojmë të jemi jashtë tryezës, sepse nëse nuk je në tryezë, atëherë je në menu. Mendoni se unë e kam të lehtë ta shikoj Kurtin në sy? Asnjëherë nuk jam përshëndeur dorë me dorë me të. Asnjëherë nuk ka pasur takime të këndshme me të. Gjithmonë shpërthejnë me sharje, pothuajse deri në pikën e konfrontimeve fizike. Të tilla janë në shumë raste, por nuk do të hyj në detaje rreth kësaj çështje”, tha Vuçiq.

Ai tha se sulmi ndaj Iranit ndoshta mund të zgjasë pak ushtarakisht, por se, sipas tij, politikisht do të jetë një proces afatgjatë, me pasoja jashtëzakonisht të mëdha.

“E kam ditur se do të sulmojnë në natën mes të premtes dhe të shtunës, sepse duan që tregjet e berzave të rimëkëmben deri të hënën. Nuk jam kandidat për profet, por flas me të gjithë. Ashtu sikurse për konfliktin në Ukrainë, të cilin e kisha parashikuar”, tha Vuçiq, teksa tregoi se si kishte biseduar gjatë me Putinin në shumë raste para se Rusia të kryente agresion në Ukrainë.

Presidenti serb tutje theksoi se tani nuk do të flasë për arsyet e tërheqjes së Rusisë nga Kosova, por se sipas tij Serbia nuk ishte fajtore për këtë, e as qeveritë e mëparshme. “Jam i sigurt se një ditë do të zbulohet kjo”, shtoi ai, duke theksuar se Amerika është fuqia më e madhe ushtarake në botë, derisa Kina, sipas tij, është po thuajse në të njëjtin nivel.

I pyetur se pse Serbia nuk u përfshi në Bordin e Paqes së presidentit Donald Trumpit, Vuçiq tha se tarifa e përfshirjes mund të mos ishte një miliardë, porse do të duhej të merrnin pjesë me trupa paqeruajtëse në Gaza.

“Pyetja ime është se çfarë do t’u përgjigjeshit atyre që thonë, pse të përfshihemi nëse aty ka hyrë e ‘ashtuquajtura Kosovë’, e cila do të ketë trupa ushtarake në Gaza. Unë kam këshilltarë të mirë për politikën e jashtme. Dhe ta keni parasysh se nga Evropa po marrim këshilla që të mos shkojmë atje”, tha ai.

Vuçiç po ashtu tha se marrëdhëniet me Amerikën do të jenë më të mira dhe se, sipas tij, ka disa tregues se ato do të jenë dukshëm më të mira.

“Ne do të investojmë shumë në këtë, ata ndihmuan në Republikën Serbe, me heqjen e sanksioneve kundër Dodikut. Ata e dënuan më fuqishëm aksionin e paralajmëruar të Kurtit për 15 mars, shumë më fuqishëm se evropianët. Unë gjithashtu besoj se miqtë tanë rusë do të vazhdojnë të jenë të drejtë në këtë çështje. Ne do t’i përmirësojmë marrëdhëniet me amerikanët dhe jam i sigurt se do të kemi sukses në këtë”, tha Vuçiq.


Go to TOP