Vjosa Osmani viziton familjen e Afrim Bunjaku: Drejtësia për Banjskën ende jo e plotë

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot familjen e policit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, pas vendimit të gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin e sulmit në Banjska.

Gjatë vizitës, Osmani theksoi se sakrifica për shtetin e Kosovës mbetet e vazhdueshme dhe kërkon përkushtim të përditshëm nga të gjithë qytetarët.

Ajo vlerësoi lart figurën e Bunjakut duke thënë se ai dhe shumë të tjerë kanë dhënë gjithçka për lirinë e vendit.

“Dëshmon se sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende. Edhe pse kemi kaluar shumë vite nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë, liria duhet të ruhet çdo ditë. Lum Kosova që ka pasur djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot vendit në çdo kohë. Është gjaku i tij, sakrifica e tij dhe sakrifica e juaj si familje, dhe e shumë familjeve në Kosovë, që janë arsyeja pse Kosova sot është vend sovran në çdo centimetër të saj”, tha Osmani.

Ajo shtoi se, pavarësisht sfidave historike me Serbia, sovraniteti i Kosovës nuk do të cenohet më.

“Mbi të gjitha, amaneti i tij dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë”, u shpreh ajo duke shtuar se brezat e rinj të familjes Bunjaku po ndjekin rrugën e tij.

Osmani theksoi se drejtësia për këtë rast nuk është e plotë duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoičić dhe personave të tjerë të përfshirë.

“Duhet që Milan Radoiçiç të dorëzohet në Kosovë dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe shumë kriminelë të tjerë që kanë vepruar nën urdhrin e Aleksandar Vučić. Ky është vetëm hapi i parë i drejtësisë për heroin Afrim”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, xhaxhai i heroit, Gani Bunjaku, kujtoi përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së vendit.

“Afrim Bunjaku thoshte: ‘Kur s’e mbrojmë tokën tonë, s’ka kuptim të shkojmë ta mbrojmë diku tjetër’”, tha ai duke shtuar se Mitrovica mbetet simbol i rëndësishëm për familjen dhe vendin.

Ai gjithashtu shprehu mbështetje për Osmanin duke theksuar se Kosovës i duhen figura të tilla për të ecur përpara.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim dënues për rastin e sulmit në Banjskë. Me burgim të përjetshëm janë dënuar Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa me 30 vjet burgim Dushan Maksimoviq.

Sulmi terrorist në Banjskë, i ndodhur më 24 shtator 2023, la të vrarë rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe plagosi tre zyrtarë të tjerë policorë. /Kosova.info/


Go to TOP