Vitia: Nga 12 shtatori do të ketë vaksinim edhe të dielave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sipas të dhënave të javës së kaluar, duke mos përfshirë të dhënat e 3 shtatorit, mbi 93 për qind e personave me COVID-19, që po trajtohen në spitale, kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.

Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e koronavirusit, Vitia po ashtu tha se në shtatë ditët e kaluara, kanë vdekur 170 qytetarë.

“Gjatë kësaj jave, 170 persona kanë humbur jetën dhe nga numri total i të vdekurve, 149 kanë qenë të pavaksinuar”, tha Vitia.

Ai po ashtu bëri të ditur se në mesin e viktimave, vetëm për dy prej tyre nuk kanë të dhëna nëse kanë pasur sëmundje shoqëruese, ndërsa shumica e viktimave kanë pasur edhe sëmundje të tjera.

“Vaksinimi nuk ka alternativë. Valë të reja mund dhe do të pasojnë pas kësaj pa vaksinim. Valë të reja janë të pashmangshme. Vetëm vaksinimi i parandalon këto valë”, tha Vitia.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.

Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19 dhe të vdekjeve. Vetëm gjatë të premtes, u regjistruan edhe 26 viktima dhe mbi 1.400 raste të reja.

Go to TOP