Viti i “dritës” në prag të territ

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhja e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes së Kosovës, rikthimi i kryeqytetit nën qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tensionet e vazhdueshme në komunat veriore, refuzimi i projektit të gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut, si dhe në fund rrëshqitja e Kosovës në krizë energjetike, ishin vetëm disa nga ngjarjet që karakterizuan vitin 2021.

Cilat ishin ngjarjet kryesore të vitit dhe si arriti Kosova t’i menaxhonte ato?

Rrugët e Prishtinës në kohën e masave kundër COVID-19.
Rrugët e Prishtinës në kohën e masave kundër COVID-19.

Fillimi i vitit 2021 e gjeti Kosovën me një Qeveri në detyrë, si dhe me Vjosa Osmanin, ushtruese të detyrës së presidentit. Në dhjetor të vitit 2020 Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraprakisht kishte dhënë dorëheqje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij qe ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 14 shkurt, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50.28 për qind të votave të përgjithshme dhe me këtë mori pushtetin në bashkëpunim me subjektet minoritare. Partia Demokratike e Kosovës fitoi 17 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, u rendit në vendin e tretë me rreth 13 për qind të votave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas votimit të Qeverisë së tij në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas votimit të Qeverisë së tij në Kuvendin e Kosovës.

Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, më 22 mars 2021, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryetar i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca nga LVV-ja.

Nis fushata e vaksinimit

Kosova ngeli ndër vendet e fundit në Evropë që arriti të sigurojë vaksina kundër COVID-19 dhe vaksinat e para që erdhën ishin ato përmes programit COVAX, e që është program i Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë vaksina për vendet me të ardhura të ulëta. Vaksinat e para arritën në Kosovë vetëm më 28 mars dhe vaksinimi filloi një ditë më pas, më 29 mars. Deri më tani me dy dozat janë imunizuar më shumë se 780 mijë qytetarë.

Osmani, presidente

Më 4 prill 2021, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës, me 71 vota për zgjodhi presidente të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Fjalimi i presidentes Vjosa Osmani pas votimit në Kuvendin e Kosovës.
Fjalimi i presidentes Vjosa Osmani pas votimit në Kuvendin e Kosovës.

Kurti dhe Vuçiqi nuk pajtohen për asgjë

Me entuziazëm u prit në Bashkimin Evropian ideja se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po takoheshin në Bruksel më 15 qershor. Ky takim që po ndodhte në kuadër të dialogut të mbështetur nga BE-ja në fakt nuk prodhoi asgjë të re. Nuk pati ndonjë pajtim përveç deklaratave të kundërta pas takimit. Zyrtarët e BE-së thanë se takimi nuk ishte i lehtë dhe ftuan palët që të shfrytëzonin momentumin për të arritur një marrëveshje përfundimtare, gjë që nuk duket se do të ndodhë shpejt.

Takimi i parë ndërmjet kryemnistrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Takimi i parë ndërmjet kryemnistrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Rreth 1,500 të helmuarit në Deçan

Fluksi i madh i qytetarëve që kërkonin ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, e zuri të papërgatitur stafin mjekësor më 12 korrik të këtij viti. Rreth 1,500 qytetarë të fshatrave të ndryshme të kësaj komune u përballën me simptoma të helmimit. Ata dyshohej se ishin helmuar nga uji i pijshëm i një dege të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Analizat laboratorike gjetën disa baktere që dyshohej se shkaktuan problemet shëndetësore te qytetarët, mirëpo mostrat e ujit u dërguan për analiza të detajuara edhe jashtë vendit. Ky rast është ende duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Vuçiq: Takimi me Kurtin, më i keqi në dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Më 19 korrik në Bruksel për herë të dytë u ulën në tavolinën e dialogut kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti propozoi një deklaratë paqeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila tha se u refuzua “pa u lexuar” nga presidenti i Serbisë, Vuçiq. Nga ana tjetër, Vuçiq tha se takimi i dytë me Kurtin ishte më i keqi që ai kishte pasur me zyrtarët e Kosovës në kuadër të dialogut në Bruksel. Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje dhe takimet më pas vazhduan në nivel teknik.​

Tridhjetegjashtë vdekjet e gushtit

Më 29 gusht, Kosova regjistroi rekordin më të zi të vdekjeve nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, raportoi për 36 raste të vdekjes nga kjo sëmundje përgjatë vetëm 24 orëve.

Spitali ku trajtohen të infektuarit me COVID-19 në qytetin e Gjilanit në Kosovë.
Spitali ku trajtohen të infektuarit me COVID-19 në qytetin e Gjilanit në Kosovë.

Seancë pas seance

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Më 15 shtator 2021, në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës, filloi gjykimi i parë i një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Salih Mustafa doli para kësaj gjykate për t’u përballur me akuzat për krime lufte. Në javët që pasuan, filloi gjykimi edhe i krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Targat ndezën veriun

Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës vendosi që të mos lejojë të hyjë në territorin e Kosovës asnjë veturë me targa të Serbisë. Qeveria kosovare vendosi që të fusë në funksion reciprocitetin sa i takon targave të veturave dhe bënte të njëjtin veprim si autoritetet serbe, çdo veture me targa të Serbisë i hiqeshin ato dhe i zëvendësoheshin me targa të përkohshme.

Njësitet Speciale u dërguan në veri për të siguruar zbatimin e reciprocitetit, por kjo shkaktoi rritje të tensioneve dhe serbët lokalë bllokuan rrugët kryesore që shpinin drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Policia e Kosovës mbeti e bllokuar atje për 12 ditë.


Go to TOP