Zgjedhja e drejtorit të ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Britania e mirëpret vendimin e Kuvendit

Ambasada e Britanisë së Madhe e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur Yll Buleshkajn drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në reagimin e ambasadës britanike në Twitter thuhet se Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.

“Mirëpresim vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Yll Buleshkajt për Drejtor të ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Z. Buleshkaj u rekomandua si kandidati më lart i renditur nga ekspertët e Britarnisë së Madhe që mbështetën panelin për ta drejtuar një proces rekrutimi transparent dhe të bazuar në merita”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Britania tani pret që të punojnë me AKK-në për zbatimin e zotimeve kundër korrupsionit.

Me 62 vota, Buleshkaj është zgjedhur drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit nga deputetët e Kuvendit. Ai do të ketë mandat pesëvjeçar në krye të kësaj agjencie.

Më parë, Yll Buleshkaj ka qenë drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai u bë i njohur kur kjo zyrë kishte rekomanduar që në zgjedhjet e shkurtit të lejohej certifikimi i kandidatëve që kanë probleme me ligjin, e ku përfshihej edhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

Go to TOP