Vetëvendosje akuzon Gjykatën Kushtetuese për inkoherencë dhe “abus de droit” në rastin e Listës Serbe
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, të iniciuar nga Lista Serbe kundër zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq duke e cilësuar vendimin si shembull të “inkohërencës së thellë” dhe “përdorimit abuziv të kompetencës gjyqësore (abus de droit)”.
Sipas Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese ka ndryshuar qëndrim brenda vetëm katër muajsh për të njëjtën çështje kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ apo faktik. Ajo rikujton se në aktgjykimin KO265/25, paragrafi 129, Gjykata kishte konstatuar shprehimisht se ndalimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tri herë vlen edhe për rastin e nënkryetarëve të Kuvendit. Në aktgjykimin e fundit, sipas VV-së, Gjykata ka marrë qëndrim të kundërt duke e përmbysur jurisprudencën e vet pa arsyetim të qëndrueshëm.
VV thekson se ky veprim cenon rëndë parimin e sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë së së drejtës, të cilat janë themel i shtetit demokratik dhe i besimit të qytetarëve në rendin kushtetues. Sipas saj, ndryshimi i qëndrimit nuk mund të arsyetohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore duke e shndërruar vendimin në krijim norme të re përmes interpretimit formal.
Në reagim thuhet se Gjykata Kushtetuese po e tejkalon rolin e saj kushtetues duke u shndërruar nga autoritet interpretues në aktor që prodhon norma dhe kritere të reja përfaqësimi që Kushtetuta nuk i njeh. Vetëvendosje vlerëson se Gjykata po bëhet autoreferenciale duke interpretuar Kushtetutën përmes vendimeve të veta dhe jo përmes tekstit, strukturës dhe qëllimit të saj, çka sipas saj krijon një “pol pushteti paralel” të padukshëm nga sovrani.
Partia në pushtet kritikon edhe bllokimin dhe shfuqizimin e një sërë ligjesh reformuese duke përmendur Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe bllokimin prej mbi 770 ditësh të Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës, të cilat i atribuon veprimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Vetëvendosje thekson se ajo është e qartë: nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit. Sipas saj, Kushtetuta nuk parasheh shumicë të deputetëve serbë, legjitimitet të brendshëm komunitar apo ekskluzivitet partiak, dhe çdo kriter shtesë përbën krijim norme, jo interpretim.
Në fund, VV akuzon Gjykatën Kushtetuese se me këtë vendim po i jep Listës Serbe një të drejtë vetoje de facto, në kundërshtim me frymën e Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, i cili njeh përfaqësimin e komuniteteve dhe jo dominimin e një subjekti politik. Sipas reagimit, çdo interpretim që favorizon një parti politike që, siç thuhet, nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues, por e dëmton atë. /Kosova.info/
