Veriu me tensione, barrikadat nuk po hiqen

Barrikadat në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot, teksa janë bërë 12 ditë që nga vendosja e tyre nga ana grupeve kriminale.

Sipas autoriteteve të Kosovë, deri më tani në veri janë të vendosura nëntë barrikada në tri komuna. Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara ashtu siç janë të mbyllura edhe këto dy pika.

Tensionet vazhdojnë gjithashtu. Të martën mbrëma pati edhe një shpërthim afër ekipit të një mediumi kosovar, ndërsa që nga nisja e tensioneve në veri ka pasur incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Ditë më parë, në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë, pati një protestë nga grupe të ndryshme ruso-serbe.

Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, autori i i protestës ishte presidenti rus, Vladimir Putin, dhe këto grupe kishin për qëllim djegien e pikës kufitare.

“Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.”, shkroi ai ndër të tjera në Facebook.

Barrikadat nuk po largohen

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për heqjen e barrikadave.

Mirëpo, në deklarimin e tij të fundit, Kurti ka thënë se “nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe gjatë”

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “do të marr vendime në përputhje me interesat e popullit tim” dhe se “besimi i Serbisë në Perëndim nuk ekziston më”.

“Deklarata e tij është e rrezikshme, është kërcënim për popullin serb”, ka thënë Vuçiq për TV Pink, lidhur me deklaratën e ambasadorit gjerman se barrikadat duhet të hiqen deri në Krishtlindje.

Go to TOP