Veliu: Përjashtimi im nga lista e LDK-së nuk ishte i drejtë dhe as transparent

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar publikisht pas mospërfshirjes së tij në listën zgjedhore të LDK-së duke theksuar se vendimi është i padrejtë, jo transparent dhe në kundërshtim me parimet e partisë.

Përmes një deklarate, Veliu ka thënë se angazhimi i tij në LDK nuk ka qenë kurrë për interesa personale, por për bindje politike, punë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që i kanë dhënë besimin ndër vite. Ai thekson se listat zgjedhore tashmë janë mbyllur dhe se deklaratat për “derë të hapur” pas këtij fakti janë vetëm formale dhe nuk e ndryshojnë realitetin.

Sipas Veliut, përgjegjësia për mospërfshirjen e tij në listë bie drejtpërdrejt mbi kryetarin e partisë dhe të emëruarin e tij në Podujevë, të cilët, siç shprehet ai, në koordinim të plotë kanë shpërfillur jo vetëm gatishmërinë e tij për garë, por edhe kërkesat e mijëra votuesve që ai të ishte pjesë e procesit zgjedhor.

“Unë nuk kam kërkuar favore, kam kërkuar respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit. Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti”, ka deklaruar Veliu.

Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të flasë hapur dhe të veprojë me përgjegjësi duke theksuar se politika ka kuptim vetëm kur u shërben qytetarëve dhe jo kur mbyllet ndaj tyre. Sipas tij, nëse dera do të ishte vërtet e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje konkrete e jo vetëm në deklarata publike.

Në fund, Veliu ka theksuar se anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik meritojnë një sqarim të qartë për arsyet e mospërfshirjes së tij në listën zgjedhore duke përfunduar deklaratën me urimin: “Zoti e bekoftë LDK-në!”. /Kosova.info/


Go to TOP