Vehbi Miftari sjell “Etnoletra Shqipe” – studimi i parë për lidhjet mes letërsisë, kulturës popullore dhe kombformimit

Pas një dekade kërkimesh të thelluara në fushën e kombformimit dhe studimeve filozofike, sociologjike e kulturore, publicisti dhe diplomati Vehbi Miftari ka sjellë para publikut veprën e tij më të re: “Etnoletra Shqipe – Raporti i letërsisë me kulturën popullore dhe kombformimin”. Libri është botuar nga Botimet Toena, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky studim interdisiplinar, i pari i këtij lloji në hapësirën shqipe, analizon në mënyrë të thelluar marrëdhëniet e ndërsjella midis letërsisë, kulturës popullore dhe proceseve të kombformimit dhe kombkonsolidimit. Libri është ndarë në tre pjesë kryesore:

Letërsia dhe teoritë e kombformimit – që nga qasjet etnosimboliste, moderniste e deri te modelet bashkëkohore të David Miller, trajtohet roli i letërsisë në ndërtimin dhe forcimin e përkatësive kolektive.

Letërsia identitare e humanistëve shqiptarë – përmes analizës së veprës së figurave si Buzuku, Budi dhe Bogdani, vë në dukje funksionin kulturor e identitar të fjalës së shkruar në periudha formuese.

Romantikët dhe pasromantikët shqiptarë – nga De Rada e Naimi te Fishta e Koliqi, zbërthehet ndikimi i letërsisë në krijimin e identitetit kombëtar, përmes miteve, kujtesës, himneve dhe narrativës për “veten” dhe “tjetrin”.

“Etnoletra Shqipe” është një kontribut i çmuar në studimet albanologjike dhe një thirrje për të parë letërsinë si element themelor në historinë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Për më shumë, lexoni librin këtu:

https://toena.al/home/details/892-etnoletra-shqipe


Go to TOP