Vdes kryetarja e FPK-së Shirin Hyseini

Në moshën 84-vjeçare, ka vdekur kryetarja e Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, Shirin Hyseini.

Hyseini ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e sportit kosovar derisa ka qenë edhe themeluese e Federatës së Peshëngritjes së Kosovës.

Presidenti i Komiteti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, e ka ngushëlluar familjen Hyseini.

“Me pikëllim të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të Shirin Hyseini, kryetare e Federatës së Peshëngritjes së Kosovës. Hyseini ishte njëra prej themelueseve të kësaj federate, por njëkohësisht dha kontribut të çmuar edhe në sporte tjera. Ajo një kohë ishte edhe kryetare e Klubit të Basketbollit Universiteti Femrat në kohët e arta të klubit prishtinas, por edhe basketbollit të Kosovës. Vdekja e saj në moshën 84-vjeçare do të lë boshllëk në sportin tonë, e veçanërisht tek vajzat, për të cilat ishte inspirim se si me punë dhe përkushtim arrihen sukseset. Në emër të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, dhe lëvizjes olimpike në vend, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, miqve dhe dashamirësve të sportit”, thuhet në telegram ngushëllimin e të parit të KOK-ut. /Kosova.info/

Go to TOP