Vazhdon procesi i rinumërimit të votave, përfundon në gjashtë komuna
Deri në ora 10:00 të ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur plotësisht procesi i rinumërimit të votave për kandidatë, në gjashtë komuna të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTKlive se nga fillimi i këtij procesi më 13 janar, deri sot në ora 10:00 janë rinumëruar 688 nga 2 mijë e 557 sa do t’i nënshtrohen këtij procesi rinumërimi me vendim të KQZ-së.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skenderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152)”, tha Elezi.

Puna në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka hyrë në ditën e tetë të rinumërimit, që pas vendimit të parë të Komisionit Qendror që të ketë rinumërim total në 10 komuna e në 28 të tjera vetëm 10 për qind të vendvotimeve, por një ditë më parë KQZ vendosi që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi ku u zhvillua votim i rregullt me 28 dhjetor.
Vendimi për rinumërim u mor pas evidentimit të manipulimeve me vota të kandidatëve brenda partive politike, për çka u aktivizua edhe Prokuroria e Shtetit.
Me vendim të KQZ-së janë shkarkuar nga funksioni përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, komunë kjo e cila doli me mospërputhjet më të mëdha në votat e kandidatëve.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula ka bërë të ditur se ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë në Kosovë që të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, neni 216 në dy pika specifikon qartë dënimet që parashihen për ata që prekin vullnetin e qytetarëve.
“Falsifikimi i rezultateve të votimit 1. Kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet. 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet”, thuhet në Kodin Penal.

