‘Talia e Flakës’ në edicionin e 35-të bën bashkë shfaqjet më të mira
Të shtunën fillon festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2026”. Gjatë pesë netëve në Teatrin e Gjilanit, shikuesit mund të shohin drama nga disa teatro shqiptare.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se po vazhdojnë aktivitete në kuadër të manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, edicioni i 35-të, me shumë aktivitete përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve tanë.
“Na u bashkoni në këtë organizim, që të ruajmë traditën dhe ta mbajmë gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës”, tha kryetari Alban Hyseni.
Duke filluar nga 24 janari e deri më 28 janar, për çdo mbrëmje në orën 20:00, do të shfaqen dramat më të reja shqipe. Natën e parë do të shfaqet shfaqja nga Teatri i Tetovës, “Dramë për të qesh”. Pasohet në mbrëmjen e dytë me shfaqjen “Sytë e ujkut” nga INTEGRA e Prishtinës.
Gjithashtu në kuadër të edicionit të 35-të publiku do ta shoh shfaqjen nga Teatri i Ferizajt, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”. Më 27 janar, shfaqet shfaqja nikoqire dhe jo garuese e Teatrit të Gjilanit, “God bless America”. Festivali mbyllet me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Gërrdia”, më 28 janar.
