Varroset veprimtari Ahmet Metaj
Në Shushicë të Istogut iu dha lamtumira e fundit veprimtarit të shquar dhe veteranit të arsimit Ahmet Malë Metaj.
Në vitin e largët 1971 për t‘iu shmangur përndjekjeve nga ish-regjimi komunist, Ahmet Metaj migroi në Berlin të Gjermanisë ku pas një pune të palodhur në vitin 1976 arriti të hap shkollën e parë në gjuhën shqipe.
“Në vitin 1976 Ahmeti filloi me regjistrimin e fëmijëve shqiptarë që jetonin në Berlin dhe po këtë vit arriti të themeloi shkollën e parë shqipe ‘Dituria’ mirëpo edhe atje me përcjellje nga njerëz të paguar nga UDB-ja”, tha Shkëlzen Metaj, djali i të ndjerit.
“Mund të them se 50 vjet kam qenë me të në Gjermani. Ai ka dhënë kontribut të madh. Në vitin 1976 e ka hap shkollën shqipe, 5 -6 fëmijë s’kanë qenë në fillim e sot janë 500 fëmijë, por shkollë nuk ka”, tha Fehmi Uka, bashkëveprimtar.
“Ka qenë njeri atdhetar. Ahmet Malë Metajt duhet me i marrë lakmi për veprën, punën. Ky nuk ka vdekur, ky është një hero i gjallë i kombit tonë”, tha Idriz Pllana, bashkëveprimtar.
Veterani i arsimit Ahmet Metaj, u nda nga jeta më 27 mars 2025, duke lënë pas vetes një vepër të admirueshme jetësore në shërbim të popullit të tij.
