Ushqimi për ushtarët e FSK-së është përgatitur nga kuzhinierët e Qendres Studentore dhe Shërbimit Korrektues
Një nga çështjet që ka bërë bujë ditëve të fundit është edhe furnizimi dhe përgatitja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së.
Lidhur me rastin Klankosova.tv ka dërguar sot pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes, e këta të fundit kanë me një sqarim.
MM-ja ka lëshuar një njoftim me të cilin bëhet e ditur se ushqimi për ushtarët është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional”, thuhet në njoftim.
Ministria tutje në njoftim thekson se “Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër”.
“Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm”.