UP: Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës, Rektorati pezulloi menjëherë profesorin Krasniqi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dalë me një njoftim të detajuar për rekomandimin e Këshillit të Etikës për suspendimin e profesorit Xhevat Krasniqi, dhe dërgimin e rastit të tij në organet kompetente.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky vendim i pezullimit të Krasniqit vjen pasi Këshilli i Etikës e rekomandoi pas përfundimit të seancave dëgjimore dhe shqyrtimit të rastit.

“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to. Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës norative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”.

“Për këto dhe çështje të tjera të vendosura, Këshilli i Etikës do të nxjerrë vendim me shkrim, i cili do t’u komunikohet palëve gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera shtohet se Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së.

“Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së”.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhet në njoftim.

Go to TOP