Shqiponja, kampione te kadetet

Shqiponja e Gjakovës e ka siguruar titullin e kampionit në ligën e kadeteve të Kosovës në hendboll.

Ndeshjet e kadeteve (U18) janë zhvilluar para atyre të senioreve, gjatë stinorit të rregullt.

Shqiponja e mbylli kampionatin me 32 pikë, dy më shumë se Ferizaj i vendit të dytë. Ka regjistruar 16 fitore e dy humbje. Ferizaj i kishte 14 fitore, dy barazime e dy humbje.

Gara te kadetet ishin interesante, ndërsa në skenë dolën lojtare të reja e me potencial që janë e ardhmja e hendbollit kosovar.

Te Shqiponja është një gjeneratë e lojtareve shumë premtuese dhe ky klub edhe një herë shquhet për punën me gjenerata të reja.

Të premten Shqiponja fitoi në udhëtim ndaj Ferizajt me rezultat të lartë, 36:24. Orgesa Gola i shënoi 12 gola për Shqiponjën, ndërsa Jonesa Bajrami e Medina Musa i kishin nga shtatë. Pesë i kishte Rona Zherka e katër Elisa Gjikolli.

Shijesa Zeneli i realizoi tetë gola për Ferizajn, ndërsa shtatë i kishte Elizza Hajdari. Gresa Gashi i realizoi katër. /Kosova.info/

Go to TOP