Aliu: Finalizohet doracaku për dhënien e provimit të patentës së shoferit

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se është finalizuar doracaku zyrtar për dhënien e provimit të Patentës së Shoferit për të gjitha kategoritë. Aliu ka bërë të ditur se ka përfunduar hartimin e Doracakut për Dhënien e Provimit për kategoritë A, B, C1, C dhe D.

“Për herë të parë si Ministri kemi finalizuar doracakun zyrtar për dhënien e provimit të patentës së shoferit për të gjitha kategoritë. Grupi Punues i zgjedhur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tashmë ka përfunduar hartimin e Doracakut për Dhënien e Provimit për kategoritë A, B, C1, C dhe D dhe tashmë doracakun zyrtar mund ta gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Doracaku për të gjitha kategoritë e patentës së shoferit është hartuar duke marrë parasysh nevojën për përgatitje të duhur të kandidatëve për pajisje me patentë shoferë. Rrjedhimisht kandidatët mund të përgatiten më lehtë për provimin e patentës së shoferit për kategoritë për të cilat aplikojnë. /Kosova.info/

Go to TOP