Universiteti i Tetovës hap regjistrimet për vitin akademik 2025-2026
Universiteti i Tetovës ka hapur regjistrimet për studentët e rinj për vitin akademik 2025-2026. Sipas planifikimeve, në afatin e parë pritet të regjistrohen mbi 3,400 studentë, ndërsa në afatin e dytë afro 2,700 të tjerë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, në një intervistë për emisionin “Info Plus” në RTK, theksoi se universiteti ka një traditë të konsoliduar në organizimin dhe funksionimin akademik, duke shprehur besimin se numrat e parashikuar të regjistrimeve do të përmbushen me sukses.
“Universiteti i Tetovës është i pajisur me kuadër të përgatitur profesionalisht, me staf shkencor dhe mësimor të përkushtuar. Ajo që është e rëndësishme për studentët tanë është se vazhdimisht realizojmë pjesën praktike të mësimit, përfshirë edhe mësimin klinik”, tha rektori Zejneli.
Ai shtoi se UT ka ndërtuar bashkëpunime me universitete në rajon, në Bashkimin Evropian, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një veçori e rëndësishme për studentët është mundësia e përfitimit nga programi Erasmus për mobilitet akademik, i cili u ofron atyre përvoja të reja në universitete të huaja.
Sa i përket interesimit të studentëve, kërkesat më të mëdha për regjistrim janë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, veçanërisht në programin e Teknologjisë Informative.
Sipas rektorit Zejneli, rreth 20% e studentëve që regjistrohen në UT vijnë nga Kosova dhe vende të tjera jashtë Maqedonisë së Veriut.
