Universiteti i Prishtinës përfiton projekt gjigand për luftimin e viruseve me patogjenitet të lartë

Universiteti i Prishtinës është bërë përfitues i një projekti madhor ndërkombëtar që ka për qëllim zbulimin, monitorimin dhe luftimin e viruseve me patogjenitet të lartë, të cilët shkaktojnë sëmundje të rënda infektive tek njerëzit.

Ky projekt është mundësuar nga Bernhard-Nocht-Institut für Tropenmedizin në Hamburg, një nga institutet më prestigjioze evropiane në fushën e mjekësisë tropikale dhe sëmundjeve infektive. Përfaqësues i projektit në Prishtinë është Prof. Dr. vet. Kurtesh Sherifi, i cili ka luajtur rol kyç në koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve shkencore dhe profesionale.

Profesor Sherifi ka vlerësuar projektin si një ndër angazhimet më domethënëse të karrierës së tij akademike duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e sigurisë biologjike dhe shëndetit publik në Kosovë.

“Projekti për sigurinë biologjike ishte njëri ndër projektet më domethënëse dhe më efikase në karrierën time akademike. Ai u karakterizua nga punë dhe angazhim intensiv, si dhe rezultate të shkëlqyeshme, sidomos në zvogëlimin e rasteve të infektimit me virusin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo (CCHFV) në periudhën 2013–2025. Falënderim të përzemërt në emër të Republikës së Kosovës,” ka deklaruar Sherifi. /Kosova.info/


Go to TOP