“Unë të votova ty, ti votoje Trustin”, qytetarët kërkojnë t’u mundësohet t’i tërheqin 30% të kursimeve nga Trusti
Qytetarë e deputetë kanë protestuar në sheshet e Prishtinës me kërkesën që të lejohet tërheqja e një pjese të mjeteve nga Trusti. Protestuesit, që thirrën “Trusti është i yni, jo i Qeverisë”, kanë kërkuar që Ekzekutivi t’i përgjigjet atyre.
Ata kishin në duar pankarta përmes së cilave iu kërkonin deputetëve që ta votojnë projektligjin e propozuar për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti.
“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, ishin disa nga thirrjet the pankartat e qytetarëve në protestë.
Pro kësaj ishin edhe disa punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Ne si Sindikatë e Re e KEK-ut kemi bërë disa sondazhe me punëtorë, ku mbi 90 për qind e tyre kanë shprehur vullnetin për tërheqjen e mjeteve sepse dihet gjendja e tyre. Kjo gjendje socio ekonomike pas pandemisë me të vërtetë punëtorët kanë nevojë. Por kjo nuk do t’ju ndihmoj vetëm punëtorëve por mbarë qytetarëve të Kosovës. Ato janë kursimet tona, ato nuk janë kursimet e qeverisë. Ata që nuk kanë dëshirë t’i tërheqin ato mjete le ti lënë aty”, tha kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumica, mbi 90 për qind e tyre janë shprehur pro kësaj tërheqjeje.
“Vullneti i të gjithëve është për t’i tërhequr ato mjete. Ne nuk shohim investim në vendin tonë edhe për kundër papunësisë e ikjes së qytetarëve. Lus Qeverinë, Parlamentin e partitë politike që të votojnë pro kësaj tërheqje sepse sot o kurrë kemi nevojë”, tha ai.
Organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, tha se protesta do të përsëritet nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre.
“Do të presim që në javën e ardhshme Kuvendi i Kosovës ta vendos në rënd të ditës tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Nëse nuk ndodh, do të dalim sërish në protestë. Nuk i duam paratë për qejfe por sepse jemi në gjendje të vështirë. Çmimet janë rritur pagat kanë mbetur të njëjta. Prandaj duam kursimet tona”, tha Jashari.
Pjesë në këtë protestë janë edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.
Opozita është pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e vendit.
Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.
Protestuesit kanë paralajmëruar protesta tjera nëse nuk lejohet tërheqja.




