Ulutaş pret ambasadorin zviceran Sprecher: Theksohet partneriteti për paqe dhe siguri në Kosovë
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti sot ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Shkëlqesinë e tij Jürg Sprecher, në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ofron këtij misioni.
Vizita e ambasadorit Sprecher nënvizoi bashkëpunimin e fortë ndërmjet KFOR-it dhe vendeve partnere në avancimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohje për angazhimin e Zvicrës në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë duke vlerësuar rolin konstruktiv që vendi luan në mbështetje të misionit të KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes në çdo kohë.
Në këtë drejtim, KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përmbushjen e roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
Ky takim konfirmon edhe një herë rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë afatgjatë në Kosovë. /Kosova.info/
