Ukaj: Përfshirja e verbër në debatin për veriun është zjarr që e fryjnë mendjeshkretit shqiptarë
Publicisti Ndue Ukaj ka reaguar mbi debatin e ashpër për veriun e Kosovës duke kritikuar ashpër retorikën anti-perëndimore dhe qëndrimet që ai i cilëson si të dëmshme për interesat kombëtare.
Sipas Ukajt, historia ka treguar se disa udhëheqës shqiptarë kanë shpërdoruar interesat kombëtare, shpesh duke çuar në pasoja tragjike. Ai thekson se akuzat e drejtuara ndaj Amerikës dhe Europës nuk kanë lidhje me atdhetarinë, por janë produkt i politikanëve të papërgjegjshëm që mbulojnë paaftësinë e tyre me patriotizma të rremë.
“Ne, po ta donim atdheun vërtet, duhet të galdojmë me zemër plot prezencën e Amerikës në Kosovë,” shprehet Ukaj duke nënvizuar rëndësinë e orientimit perëndimor të shqiptarëve.
Ai paralajmëron se idetë komuniste nuk i kanë sjellë asnjë të mirë kombit shqiptar dhe se çdo largim nga Perëndimi ka çuar në robëri dhe mjerim. “Në këto transformime të shpejta globale, duhet ta mbrojmë perëndimorizmin tonë dhe të gëzojmë për praninë amerikane,” përfundon Ukaj. /Kosova.info/
