Ukaj: Deklarata e Kurtit, gjuhë vulgariteti dhe primitivizmi politik

Publicisti dhe shkrimtari Ndue Ukaj ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si vulgare, të pacipë dhe fyese ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në një postim publik, Ukaj shprehu indinjatën e tij për fjalët e Kurtit, i cili kishte thënë:

“Veç ata që s’i duan familjet e veta e fëmijët e vet, ata mujnë mos me votu për Vetëvendosjen e me votu për vete. Por nëse i dojnë familjet e fëmijët, prindërit e vet, ata duhet me votu për Vetëvendosjen. Se veç na kemi program për këto kategori shoqërore.”

Sipas Ukajt, një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe e padenjë për një kryeministër.

“Më erdhi me vjellë kur e lexova këtë fjali kaq vulgare e kaq të pacipë. Duhet të jesh tepër faqezi për t’u shprehur kështu ndaj popullit tënd dhe kundërshtarëve politikë,” shkroi ai.

Ukaj e akuzoi Kurtin për primitivizëm politik, duke e cilësuar atë si pengesën kryesore për normalitetin politik në Kosovë.

“Kryeministri po e vërteton se është politikani më primitiv i këtij vendi dhe i tillë do të mbahet mend. Gjuha e tij kaq vulgare dhe e paskrupullt është barriera më e madhe për Kosovën në rrugën e saj drejt një politike të civilizuar,” përfundoi ai.

Reagimi i Ukajt ka nxitur diskutime të gjera në opinionin publik, me kritikë të shumta ndaj gjuhës së përdorur nga kryeministri, ndërsa mbështetësit e Kurtit e kanë cilësuar reagimin e Ukajt si tendencioz dhe të motivuar politikisht. /Kosova.info/


Go to TOP