Ukaj: Antiamerikanizmi në Kosovë është antishqiptarizëm i pastër

Shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj ka reaguar ashpër ndaj tendencave antiamerikane në Kosovë, duke i cilësuar si të rrezikshme dhe të dëmshme për të ardhmen e vendit. Sipas tij, disa individë të ndikuar nga ideologjia komuniste kanë krijuar një narrativë që nuk ka lidhje me patriotizmin dhe rrezikon raportet historike të Kosovës me Perëndimin.

Duke cituar shkrimtarin Ismail Kadare, Ukaj theksoi se antieuropianizmi është antishqiptarizëm dhe se sot, në Kosovë, antiamerikanizmi përfaqëson të njëjtën gjë. Ai argumentoi se qeverisja e fundit ka demonstruar një mendësi joperëndimore, e cila ka sjellë izolim, sanksione dhe përkeqësim të marrëdhënieve me aleatët.

“Qeveria e sotme nuk ka lidhje me konceptet perëndimore për shtetin, demokracinë dhe lirinë. Kosova ka fituar gjithmonë me Amerikën dhe Europën, dhe çdo devijim nga ky orientim është i rrezikshëm,” tha Ukaj.

Duke iu referuar qeverisjes aktuale, ai kritikoi lidershipin për qasjen e tij ndaj SHBA-së që nga Konferenca e Rambujesë e deri më sot. Ukaj bëri thirrje që më 9 shkurt të ndodhë një ndryshim i madh, që sipas tij, është i domosdoshëm për të ruajtur lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Nuk është kurrë vonë për pendim,” përfundoi ai duke bërë thirrje për një reflektim kombëtar dhe një rikthim në rrugën perëndimore. /Kosova.info/


Go to TOP