Uji i pijes arrin në katër fshatra të Fushë-Kosovës
Pesëmbëdhjetë mijë banorët e fshatrave Lismir, Bardh i Madh, Grabovc dhe Sllatinë të komunës së Fushë-Kosovës nga sot do të furnizohen me ujë të pijes, pas përfundimit të një projekti të rëndësishëm infrastrukturore në vlerë prej 3.7 milionë euro.
Në përurimin e sistemit të ujësjellësit në fshatin Lismir mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e hapi zyrtarisht kroin dhe ishte i pari që piu ujin. Ai tha se me këtë investim po korrigjohet një padrejtësi e cila ka zgjatur për çerek shekulli.
“Kjo është një ditë e gëzueshme për të gjithë neve dhe një padrejtësi që ka zgjatë për çerek shekulli po rregullohet sot duke sjellë ujë për fshatin Lismir, një e drejtë themelore njerëzore. Kjo tregon përkushtimin tonë dhe mbajtjen e zotimeve tona. Tash Valon Prebreza, kandidati ynë për kryetar komune, pa qenë kryetar, shiheni çka ka bërë; kur të bëhet, kushedi sa të mira do t’i sjellë Fushë-Kosovës”, tha Kurti.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, garantoi se banorët do të kenë ujë të cilësisë së lartë dhe furnizim të qëndrueshëm.
“Cilësia e ujit që rrjedh sot në krojet tuaja është ndër më të mirat në vend e rajon. Ai vjen nga Liqeni i Ujmanit dhe trajtohet në fabrikën moderne të Shkabajt. Ju siguroj për cilësi dhe furnizim të rregullt”, deklaroi Fetahu.
Ndërkohë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, tha se me këtë projekt po përmbyllet një periudhë 25-vjeçare mungese të ujit të pijshëm për banorët.
“Në dhjetor të vitit 2023 kur filluam punimet në Bardh, pyetja ishte pse nuk është përfshirë Lismiri. Sot jemi këtu për të përuruar këtë projekt me ndihmën e Ministrisë së Ekonomisë, e cila kontribuoi me 424 mijë euro duke siguruar furnizim me ujë për 672 banorë të këtij fshati që nuk kanë pas ujë për 25 vite”, tha Prebreza.
Pas përurimit në Lismir, ceremonitë vazhduan edhe në fshatrat Bardh i Madh dhe Sllatinë, ku banorët për herë të parë mund të shijojnë ujin e pastër të pijes nga rrjeti publik. /Kosova.info/
