Uji ende nuk mund të përdoret për pije, vazhdon të ketë mangan në liqenin e Badocit
Prania e manganit në liqenin e Badocit mbetet e lartë, duke bërë që uji të mos jetë i përshtatshëm për pije dhe gatim. Qytetarët po furnizohen me ujë përmes mënyrave të ndryshme, përfshirë autobotet e siguruara nga Ujësjellësi i Prishtinës.
Njëra nga këto alternativa është shërbimi me autobote nga KRU Prishtina.
Edhe këtë të diel, në rrugët “Ndue Përlleshi” dhe “Shaqir Igrishta” banorët u furnizuan përmes kësaj forme. Njëri nga ta ishte edhe Milazim Zogaj.
Përveç autoboteve, qytetarët po blejnë edhe ujë të pijshëm në markete.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina,” Arieta Mjeku, tha për RTK se sasia e manganit në ujin e patrajtuar është 0.08 mg për litër, ndërsa në ujin e trajtuar është 0.03 mg për litër. Deri në uljen e këtyre vlerave, qytetarët do të vazhdojnë të përdorin alternativa të tjera për furnizim me ujë të pijshëm.
