Ujësjellësi i Prishtinës bën thirrje për kursimin e ujit të pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin ujin e pijshëm me kujdes dhe në mënyrë sa më racionale, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për të siguruar furnizim të rregullt dhe cilësor për të gjithë konsumatorët.

Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje e konsiderueshme e konsumit të ujit, ndërsa përdorimi i tij për nevoja që nuk lidhen drejtpërdrejt me konsumin familjar po krijon ngarkesë shtesë në sistemin e furnizimit.

KRU “Prishtina” ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për larjen e automjeteve, mbushjen e pishinave, ujitjen e kopshteve dhe sipërfaqeve të mëdha të gjelbëruara, si dhe për aktivitete të tjera që mund të shtyhen ose të realizohen me sasi më të vogla uji.

Nga kompania theksojnë se përdorimi racional i ujit është i domosdoshëm për ruajtjen e rezervave ekzistuese dhe garantimin e furnizimit të pandërprerë për familjet, institucionet dhe bizneset. Sipas tyre, çdo litër ujë i kursyer kontribuon në menaxhimin më të mirë të këtij burimi jetik dhe në shmangien e vështirësive të mundshme në furnizim.

KRU “Prishtina” ka apeluar gjithashtu për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, duke kërkuar raportimin e rasteve të keqpërdorimit të ujit apo të rrjedhjeve të panevojshme në rrjet.

“Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët”, thuhet në apelin e kompanisë. /Kosova.info/

Go to TOP