Delegacioni i lartë i NATO-s viziton Deçanin, diskutohet për sigurinë

Situata e sigurisë në komunën e Deçanit dhe bashkëpunimi me KFOR-in ishin në fokus të takimit ndërmjet një delegacioni të lartë të NATO-s dhe drejtuesve të komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Deçanit, delegacioni u udhëhoq nga admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş. Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj.

Në takim u diskutua për gjendjen e sigurisë në komunë, bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in, si dhe për rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Kryetari Ramosaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s dhe KFOR-it ndaj sigurisë së qytetarëve, duke ritheksuar gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Sipas komunës, Deçani mbetet i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të qetë, të sigurt dhe mikpritës për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP