UEFA nuk e fal Serbinë, e pëson edhe kundërshtarja e Shqipërisë

Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar rëndë nga UEFA për shkeljet e bëra në ndeshjen e 12 tetorit ndaj Zvicrës.

Gjatë atij takimi kishte thirrje të vazhdueshme anti-Kosovë nga tifozët serbë. UEFA të premten mori vendimet lidhur me shkeljet e bëra nga huliganët serbë. Në fushë te Zvicra ishte Granit Xhaka, që është fishkëllyer sa herë që ka pasur kontakt me topin. Fishkëllima kishte edhe me rastin e intonimit të himnit të Zvicrës.

Në fakt federata serbe është përballur me tri akuza: transmetimi i mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarje sportive, sjellje raciste dhe sjellje diskriminuese, trazira gjatë himneve kombëtare.

Për të tri akuzat është shpallur fajtore nga organet e UEFA-s.

Për sjellje diskriminuese të tifozëve të saj, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar me 25 mijë euro dhe me mbyllje të pjesshme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme të Serbisë si vendase. Por pjesa e dytë e dënimit, për mbyllje të 4000 vendeve në stadium, është me kusht për dy vjet.

Për shkak se u fishkëllye himni i Zvicrës nga tifozët serbë, Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur me 10 mijë euro.

17 mijë e 500 euro, serbët do t’i paguajnë në UEFA për transmetim të mesazhit provokues, të papërshtatshëm për ngjarje sportive. Këtu përfshihen thirrjet e vazhdueshme anti-Kosovë. Është parë në stadium edhe flamuri i Serbisë mbi hartën e Kosovës, që UEFA e vlerëson të papranueshëm.

Pra gjithsej federata serbe është gjobitur me 52 mijë e 500 euro.

Për thirrje anti-Kosovë, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar shumë herë edhe në të kaluarën. Së fundi ishte dënuar gjatë Evropianit “Gjermania 2024”.

Zvicra e Serbia do të përballen sërish më 15 nëntor. Kjo ndeshje do të luhet në Zuerich. Me shumë gjasë do të ketë thirrje ndaj serbëve në atë takim.

Ndërkohë është dënuar edhe Gjeorgjia për parregullsitë në ndeshjen me Shqipërinë, të zhvilluar më 14 tetor. Atë ndeshje kuqezinjtë e fituan 1:0. Federata e Gjeorgjisë duhet t’i paguajë në UEFA plot 56 mijë euro. Gjoba më e lartë, prej 30 mijë eurosh, është për ndezje dhe hedhje të fishekzjarrëve. /Kosova.info/

Go to TOP