U.d. Kryeprokurori kërkon angazhim për rastet penale

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive të vendit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe përfaqësuesi i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Etrur Maloku – Zyrtari i Lartë Ligjor në OPDAT.

Në këtë takim, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka diskutuar me të pranishmit për rezultatet e institucionit të Prokurorit të Shtetit bazuar në Raportin e Punës për vitin 2023, ku është analizuar performanca e të gjitha departamenteve të prokurorive në trajtimin e rasteve penale sipas regjistrave përkatës, sfidat dhe vështirësitë e përditshme me të cilat ballafaqohen prokuroritë, veçanërisht me mungesën e numrit të prokurorëve, si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me efikasitetin e punës së të gjitha prokurorive në nivel vendi.

Në këtë drejtim, U.D. Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen maksimalisht në rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale.

Një çështje tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe nevoja për aplikimin e procedurave alternative si procedura efikase dhe produktive për zgjidhjen e rasteve penale nga ana e prokurorëve të shtetit.

Gjithashtu, sipas agjendës, në këtë kolegjium janë diskutuar edhe çështje tjera profesionale.   /Kosova.info/

Go to TOP