Turqia dhe Rusia i rifillojnë patrullimet e përbashkëta në verilindje të Sirisë
Trupat turke dhe ato ruse i kanë nisur patrullimet e përbashkëta tokësore me autoblinda në verilindje të Sirisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë të premten.
Patrullimet e tyre të përbashkëta në këtë rajon ishin ndërprerë vitin e kaluar, për shkaqe sigurie, sipas Ministrisë turke.
Patrullimi i përbashkët rifilloi të enjten në lindje të zonës “Operacioni Paqja Pranverore” në verilindje të Sirisë, dhe në të u përfshinë katër automjete dhe 24 ushtarë, sipas njoftimit.
Ministria turke nuk dha shpjegime në lidhje me çështjet e sigurisë që shkaktuan ndërprerjen e patrullimeve të përbashkëta në tetor të vitit të kaluar.
Ajo tha se 344 patrullime të përbashkëta janë kryer në atë zonë prej vitit 2019.
Më 2019, Turqia dhe aleatët e saj rebelë sirianë, i nisën operacionet ushtarake në verilindje të Turqisë, të quajtura “Operacioni Paqja Pranverore”, me qëllim për t’i zmbrapsur Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (SDF).
Atë vit, Ankaraja dhe Moska u pajtuan për të kryer patrullime të përbashkëta në atë rajon, në përputhje me një marrëveshje të nënshkruar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.
Ministria turke tha se patrullimet e përbashkët tokësore vazhdojnë në të ardhmen e afërt për ta kthyer stabilitetin në verilindje të Sirisë, për të garantuar siguri për kufijtë e Turqisë dhe për ta dëshmuar bashkëpunimin Turqi-Rusi në luftë kundër terrorizmit.