Turqi, shtohen thirrjet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Sirinë

Ndërsa rebelët sirianë janë pranë humbjes, Turqia, një nga mbështetësit kryesorë të kryengritësve, po përballet me thirrjet në rritje për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Damaskun. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Ndërsa kryengritësit sirianë po përballen me disfatën, vendet arabe kanë filluar t’i afrohen Sirisë, duke u dhënë fund viteve të izolimit diplomatik.

Mbështetësit kryesorë të kryengritësve sirianë në Turqi, po bëjnë presion që Ankaraja të bëjë të njëjtën gjë.

“Të gjitha vendet arabe tani po e kuptojnë se Assadi do të qëndrojë në pushtet, dhe kjo është arsyeja pse ata tani po shqyrtojnë mundësitë e hapjes së ambasadave të tyre, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera. Të gjitha vendet arabe tani po përpiqen të përqafojnë sërish qeverinë siriane, por Turqia nuk po e bën këtë. Pra, mendoj se çelësi i zgjidhjes është fillimi i një dialogu mes Ankarasë dhe Damaskut”, thotë Unal Cevikoz, ligjvënës i partisë Republikane Popullore turke në opozitë.

Kthimi i katër milionë refugjatëve sirianë që ikën nga lufta civile është premtimi kryesor i fushatës nga partia kryesore opozitare e Turqisë, Partia Popullore Republikane. Kjo parti thotë se rivendosja e lidhjeve diplomatike me Sirinë, të ndërprera në fillim të konfliktit, është çelësi për përmbushjen e këtij zotimi, i cili ka mbështetje të gjerë në Turqi.

Por presidenti Rexhep Tajip Erdogan po përjashton mundësinë e çdo ndryshimi.

Është një qëndrim i mbështetur nga disa ekspertë që thonë se dhënia e legjitimitet regjimit të Damaskut duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje politike më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

“Problemi është dhënia e legjitimitetit dhe njohja politike. Regjimi duhet të dëshmojë se e meriton këtë. Unë mendoj se regjimi duhet të dëshmojë se është i sinqertë në përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje reale politike. Por deri më tani, kjo nuk ka ndodhur”, thotë ish-ambasadori turk në Siri, Amer Onhon.

Prania ushtarake e Turqisë në Siri mund të komplikojë gjithashtu çdo rivendosje të marrëdhënieve me Sirinë. Damasku po bën thirrje për tërheqjen e forcave turke.

Trupat turke janë dislokuar në Siri për t’iu kundërvënë Forcave Demokratike Siriane (SDF) kryesisht kurde, të cilat Ankaraja i akuzon se kanë lidhje me separatistët kurdë që luftojnë në Turqi, një akuzë që drejtuesit e Forcave Demokratike Siriane e kanë mohuar.

Duke patur parasysh situatën komplekse në Siri, disa analistë paralajmërojnë se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend nuk mund të jetë një zgjidhje më vete.

“Turqia duhet të jetë më aktive në gjetjen dhe hapjen kanaleve diplomatike me vende të ndryshme arabe, Izraelin dhe Sirinë. Por, Turqia duhet të bisedojë edhe me aktorë të tjerë si Forcat Demokratike Siriane, në lindje të Eufratit dhe me Brukselin”, thotë Aydin Selcen nga organizata Mediascope.

Damasku dhe Ankaraja janë në një emërues të përbashkët në kundërshtimin e tyre ndaj aspiratave të kurdëve të Sirisë për autonomi dhe kjo mund të jetë një shtysë tjetër e fortë për një riafrim mes dy fqinjëve.

Go to TOP