Tullumbacet ranë dhe pjesa e vështirë e punës për Harrisin nis tani

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, duke buzëqeshur dhe duke i shtrënguar dorën bashkëshortit të saj, Douglas Emhoff, përshëndeti mijëra mbështetës brenda Qendrës së Bashkuar të Çikagos, teksa tullumbace të kuqe, të bardha dhe blu binin nga tavani.

Politikania 59-vjeçare mbajti mbrëmjen e 22 gushtit fjalimin më të rëndësishëm në jetën e saj, pasi pranoi nominimin e Partisë Demokratike si kandidate për presidente.

Të tubuarve dhe miliona amerikanëve që e ndoqën nga larg, ajo u tha se ShBA-ja, me këto zgjedhje, “e ka një mundësi të çmuar për të tejkaluar hidhërimin, cinizmin dhe betejat ndarëse të së shkuarës”.

Fjalimi i dha fund një muaji të zhurmshëm si për Harrisin, ashtu edhe për ShBA-në.

Vetëm katër javë më parë, presidenti 81-vjeçar i vendit, Joe Biden – kandidati i pritshëm i demokratëve – njoftoi se po tërhiqej nga gara.

Ai u përball me presion nga zyrtarë të lartë të partisë së tij, të cilët druanin se lideri i moshuar nuk do të mund ta mposhtte kandidatin republikan, Donald Trump.

Harris mori përsipër garën, grumbulloi qindra miliona dollarë nga donatorët dhe në disa sondazhe doli përpara Trumpit.

Megjithatë, anëtarë të partisë, anketues dhe analistë paralajmërojnë se është ende herët që Harris të ndihet e sigurt, sepse janë edhe më shumë se 70 ditë deri në ditën e zgjedhjeve.

Në rrugën drejt fitores ka mina të mundshme tokësore. Disa prej tyre, si inflacioni dhe konfliktet ndërkombëtare, janë jashtë kontrollit të saj, ndërsa disa të tjera varen drejtpërdrejt nga aftësia e saj për t’u paraqitur si kandidate e denjë për presidente.

Gara “është ende jashtëzakonisht e ngushtë dhe ka ende shumë gropa për fushatën e Harrisit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rebecca Gill, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Nevadës.

Ngjarjet e javëve të fundit – nga tentativa për vrasjen e Trumpit gjatë një fjalimi në Pensilvani më 13 korrik deri te vendimi i Bidenit për t’u tërhequr nga gara tetë ditë më vonë – tregojnë se sa e vështirë është të parashikohet zhvillimi i garës gjatë tre muajve të ardhshëm, shton Gill.

Test i parë për Harrisin, pas periudhës së “muajit të mjaltit”, do të jetë nëse ajo do të mund t’i adresojë me shkathtësi pyetjet e vështira të mediave në lidhje me të kaluarën dhe agjendën e saj.

Harris u është shmangur mediave prej se ka pranuar të futet në garën për presidente. Ajo nuk ka mbajtur asnjë konferencë të vetme shtypi e as ndonjë intervistë të gjerë – një fakt që republikanët e kanë përfolur.

Harris mund të vazhdojë në këtë mënyrë derisa të ndihet plotësisht e përgatitur dhe e sigurt.

Detyra e saj si nënpresidente kishte fillim të vështirë në vitin 2021, por Gill thotë se Harris është përmirësuar si politikane gjatë tre vjetëve të fundit falë, pjesërisht, këshilltarëve të saj.

“Ajo ka mbledhur një ekip që e ka ndihmuar vërtet të rritet”, thotë Gill.

Harris dhe Trump do të përballen për herë të parë më 10 shtator, në një debat të drejtpërdrejtë televiziv, që mund të jetë po aq i rëndësishëm për garën sa edhe debati i 27 qershorit midis Trumpit dhe Bidenit, që e vulosi fatin e këtij të fundit.

Biden ishte i dobët dhe i hutuar gjatë shkëmbimeve me Trumpin, gjë që shkaktoi shqetësime për shëndetin e tij mendor dhe thirrje nga zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike për t’u tërhequr.

Gill thotë se, në përgjithësi, Harris është në një pozicion të mirë. Ajo ofron një vizion optimist për të ardhmen e vendit dhe deri më tani i ka përballuar me sukses fyerjet e Trumpit.

Ajo ka trashëguar, gjithashtu, infrastrukturën e fushatës mbarëkombëtare të Bidenit, përfshirë zyrat në terren, për të mbledhur mbështetës.

Por, kandidatja demokrate ka qenë e ngadalshme në paraqitjen e agjendës së saj politike përpara kombit.

Javën e kaluar, ajo bëri publike disa pjesë të programit të saj ekonomik, duke bërë thirrje për lehtësimin e burokracisë për të përshpejtuar ndërtimin e banesave dhe për të kufizuar rritjen e çmimeve të ushqimit.

Trump dhe analistët republikanë e kanë krahasuar tashmë propozimin e fundit me kontrollet e çmimeve të epokës sovjetike.

Gill thotë se do të ishte veprim i mençur i Harrisit që të mos hynte shumë thellë në detajet e politikës në këtë fazë, pasi një gjë e tillë nuk do ta ndihmonte domosdoshmërisht t’i fitonte votuesit margjinalë.

“Një nga gjërat që ka mësuar ekipi i Kamalës, është se – na pëlqen ose jo – shumica e vendimeve për votat presidenciale kanë të bëjnë me disponimin. Kështu ka qenë që nga vitet 1980, ose edhe më herët”, thotë Gill.

Kohë të mira

Trump ka bërë përpjekje të pikturojë një pamje të ShBA-së me rënie ekonomike dhe ushtarake, si pasojë e administratës “së dobët” Biden-Harris.

Kjo, megjithatë, bie në kundërshtim me tonin optimist të Harrisit dhe të kandidatit për zëvendës të saj, guvernatorit të Minesotës, Tim Walz.

“E di se shumë njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme politike, po na shikojnë sonte. Unë premtoj se do të jem presidente e të gjithë amerikanëve. Premtoj se do të jem presidente e të gjithë amerikanëve dhe do t’i mbroj parimet e shenjta kushtetuese të Amerikës, parimet themeltare – nga sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e lira deri te transferimi paqësor i pushtetit”, tha Harris.

Mark Peterson, profesor i politikave publike në Universitetin e Kalifornisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se toni i fushatës Harris-Walz po godet publikun.

“Unë mendoj se ajo duhet ta vazhdojë këtë atmosferë optimizmi”, thotë ai.

Amerikanët kishin dëshirë të zjarrtë për kandidatë të rinj presidencialë këtë vit.

Biden dhe Trump u përballën në garën e vitit 2020 në një fushatë të hidhur, e cila përfundoi me sulme të mbështetësve të Trumpit në ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Bidenit.

Trump, 78 vjeç, ka qenë president i ShBA-së nga viti 2017 deri më 2021, kur detyrën e ka marrë Biden.

Biden ka shërbyer si nënpresident nga viti 2009 deri më 2017, në administratën e presidentit të atëhershëm, Barack Obama.

Shpërthimi i entuziazmit për Harrisin ka ndodhur pjesërisht për faktin se ajo është relativisht e re, thotë Peterson.

“Ekziston një dëshirë e përgjithshme midis anëtarëve të partisë dhe publikut në përgjithësi për t’iu bashkuar dikujt që është [ndryshe] nga Trumpi dhe jo i vjetër dhe që ka një ndjesi të së ardhmes për ta”, thotë Peterson.

Gill pajtohet, duke thënë se Trump nuk është më një enigmë dhe nuk është më kandidat i ndryshimit. Ky titull i përket Harrisit, thotë ajo.

“Tani ka vetëm një burrë të moshuar në garë”, thotë Gill, duke iu referuar Trumpit.

Fushata e Harrisit është duke nxjerrë në pah votues që nuk kanë qenë të interesuar të votonin për Bidenin ose Trumpin – gra të reja sidomos – thonë ekspertët.

Sondazhet e pavarura – të bëra disa ditë përpara Konventës Kombëtare Demokratike që u zhvillua nga data 19 deri më 22 gusht – treguan se Harris është në epërsi përballë Trumpit në një votim hipotetik kombëtar. Në një sondazh, votuesit madje thanë se i besojnë më shumë Harrisit në ekonomi.

Amerikanët janë më të shqetësuar për inflacionin, përfshirë kostot e ushqimit dhe strehimit, si dhe imigracionin e paligjshëm – të gjitha këto problematika që janë rritur nën Bidenin.

Harris, si nënpresidente, do të duhet të përgjigjet për vendimet e Bidenit.

Disa në kampin e Trumpit janë të bindur se kandidati republikan mund ta rimarrë primatin, kur mediat të fillojnë ta vëzhgojnë Harrisin.

Në një dokument më 23 korrik për fushatën e Trumpit, anketuesi republikan, Tony Fabrizio, tha se ai pret që Harris të ketë një rritje të përkohshme në sondazhe, pasi ajo merr mbulim të gjerë dhe pozitiv nga mediat kombëtare. Por, sipas tij, ajo mund të zbehet pasi gara të marrë hov në shtator.

“Demokratët që e rrëzojnë një kandidat për një tjetër, nuk e ndryshojnë pakënaqësinë e votuesve me ekonominë, inflacionin, krimin, kufirin e hapur [dhe] kostot e strehimit, për të mos i përmendur shqetësimet e tyre për dy luftëra të huaja. Së shpejti, ‘muaji i mjaltit’ i Harrisit do të përfundojë dhe votuesit do të ripërqendrohen në rolin e saj si partnere dhe bashkëpilote e Bidenit”, shkroi Fabrizio.

Go to TOP