Trump propozon përjashtimin e Spanjës nga NATO: Ndoshta duhet t’i dëboni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar sot që Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) të shqyrtojë përjashtimin e Spanjës duke e akuzuar këtë vend se po mbetet prapa në përmbushjen e detyrimeve për shpenzime ushtarake.

Në qershor, shtetet anëtare të NATO-s, nën udhëheqjen e SHBA-ve si kontribuuesi më i madh financiar, ranë dakord të rrisin ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes në nivelin e pesë për qind të produktit të brendshëm bruto. Kërkesa ishte bërë prej kohësh nga Trump, i cili kërkon që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Megjithatë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez refuzoi angazhimin për këtë objektiv duke e quajtur atë “të papajtueshëm me shtetin e mirëqenies dhe vizionin e botës” që përfaqëson Spanja, raporton CNN.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin finlandez Alexander Stubbs, Trump tha se udhëheqësit evropianë duhet të ndërhyjnë për ta bindur Madridin të përmbushë angazhimet ndaj Aleancës.

“Do të duhet të filloni të flisni me Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të zbuloni pse po e lënë pas dore. Ata nuk kanë asnjë justifikim për të mos e bërë, por kjo është në rregull. Sinqerisht, ndoshta duhet t’i dëboni nga NATO,” deklaroi Trump.

Spanja, e cila u bashkua me NATO-n në vitin 1982, është një nga 32 vendet anëtare të Aleancës që ka luajtur rol të rëndësishëm në misionet e saj. NATO ka qenë në qendër të vëmendjes globale që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, konflikt që ka rikthyer prioritetin e mbrojtjes kolektive në Evropë. /Kosova.info/


Go to TOP