Trump: Njohja e Palestinës nga Kanadaja kërcënon marrëveshjen tregtare

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se veprimi i Kanadasë për ta njohur shtetin palestinez kërcënon një marrëveshje tregtare SHBA-Kanada. Shteti i Palestinës njihet aktualisht nga 147, nga 193 shtetet anëtare të OKB-së.

Kanadaja njoftoi veprimin të mërkurën – pas njoftimeve të ngjashme nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Trump u përgjigj duke shkruar: ” Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne të bëjmë një Marrëveshje Tregtare me ta. Trump ka vendosur një afat deri më 1 gusht për vendet që të bëjnë një marrëveshje tregtare me SHBA-në, ose të përballen me tarifa më të larta.

Qeveria izraelite ka kritikuar planin e Kanadasë për të njohur një shtet palestinez. Ministria e Jashtme e Izraelit tha se ky veprim ishte një “shpërblim për Hamasin”. Njohja e një shteti të tillë “dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza”, dhe dëmton punën drejt lirimit të pengjeve të mbetura tha ministria. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se planet për të njohur një shtet palestinez “i japin Hamasit inkurajim dhe e forcojnë qëndrimin e tij”.

Shteti i Palestinës njihet aktualisht nga 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së. Në OKB, ai ka statusin e një “shteti vëzhgues të përhershëm”, duke lejuar pjesëmarrjen, por pa të drejtë vote.

Me Francën që premton gjithashtu njohje në javët në vijim dhe duke supozuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë me njohjen, Palestina së shpejti do të gëzojë mbështetjen e katër prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

E lëvizja e Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për të njohur një shtet palestinez vjen ndërsa kriza e urisë në Gaza thellohet.

Të mërkurën, të paktën 30 palestinezë që prisnin ndihmë humanitare në Gazën veriore u vranë nga të shtënat izraelite, sipas agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi.

Një zëdhënës i mbrojtjes civile të Gazës i tha agjencisë së lajmeve AFP se të shtënat izraelite plagosën rreth 300 persona të tjerë. Izraeli tha se detajet e incidentit “po shqyrtohen ende”.


Go to TOP