Tri viktima në aksidente rrugore brenda 24-orëve në Shqipëri, policia apelon për kujdes

Tre persona kanë humbur jetën në tre aksidente të ndryshme brenda 24 orëve në Shqipëri.

Aksidenti më i fundit ishte ai që ndodhi paraditen e kësaj të marte në fshatin Mengël, ku shtetasi R.P., ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Një tjetër aksident i rëndë u shënua më herët në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, ku mjeti me drejtues shtetasin R.H., ka aksidentuar automjetin me drejtues shtetasin S. G., 66 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ky shtetas ka humbur jetën në vendngjarje.

Të hënën në darkë një 71-vjeçar humbi jetën në një tjetër aksident të ndodhur në një rrugë rurale në fshatin Torovicë të Lezhës.

I moshuari po ecte në këmbë përgjatë rrugës ndërsa u godit nga një mjet tip “Benz” që drejtohej nga një 26-vjeçar, banues po në të njëjtin fshat.

Ishte drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato ai që kërkoi të hënën nga drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, nisur nga situata e motit me reshje shiu dhe bore në të gjithë vendin.

“Me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara në asnjë moment, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, pasi do përballen me sanksionet ligjore dhe administrative që parashikohen në Kodin Rrugor”, tha ai.

I gjithë viti 2021 ka sjellë një rritje të ndjeshme të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë, e që janë shoqëruar edhe me një numër të lartë viktimash.

Dhjetëmujori i viti 2021, sipas INSTAT, numëron 1 mijë e 151 aksidente rrugore dhe 165 viktima.

Problematik është fakti se pjesa më e madhe e aksidenteve janë kryer nga grupmosha 25-34 vjeç. Në çdo tre shkaktarë aksidenti, njëri i përket pikërisht kësaj moshe. Aksidentet në këtë grupmoshë janë rritur me 9.4 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa mësohet se pjesa dërrmuese e tyre kanë ndodhur për shkak të manovrave të gabuara të shoferëve.

Go to TOP