Trashëgimia muzikore e Shaqir Hotit, tashmë edhe në platformë digjitale

Okarina është melodia e artë popullore të cilën e krijoi me mjeshtëri Shaqir Hoti, i cili njëherit konsiderohet si enciklopedi e instrumenteve frymore. Jeta dhe veprimtaria e tij artistike, tashmë gjenden edhe në platformën digjitale “Okarina e Shaqir Hotit”, projekt ky i ideuar nga Besa Berberi, së bashku me Florent Boshnjakun, Ilir Bajrin, Visar Munishin dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

“Axha Shaqë ka pasur qetësinë e shenjtë dhe ka shpërndarë njohuri edhe atëherë kur nuk e ke ditur që po merr njohuri prej tij. Dëshira për krijimin e një shkolle digjitale ka qenë ide e kahmotshme e tij, sepse kishte për qëllim të dhurojë trashëgiminë e njohurive të tij për muzikën te gjeneratat e reja”, kështu u shpreh profesoresha e muzikës Besa Berberi.

Mbi 2000 instrumente janë gdhendur nga duart e tij, mijëra melodi janë luajtur nga gishtat e tij dhe qindra këngë e valle mbajnë vulën e shpirtit të tij. Kjo krijimtari ka vlerë të pashlyeshme në trashëgiminë tonë kulturore, duke qenë njëherit edhe burim frymëzimi për krijimtarinë e re muzikore artistike.

“Baca Shaqë, faleminderit për muzikën”, me këto fjalë kompozitori Florent Boshnjaku shprehu mirënjohjen e tij për punën, kontributin dhe trashëgiminë që na ka lënë Shaqir Hoti. Ai tha se: “Ka disa njerëz në muzikë që me të vërtetë lënë gjurmë, por ka disa njerëz që shkruajnë historinë. Baca Shaqë ka shkruar histori, nuk ka lënë vetëm gjurmë”.

Njohësi i muzikës Visar Munishi, duke i përshkruar instrumentet që ka krijuar Shaqir Hoti, ka veçuar gajden dhe theksoi se ky instrument kërkon mirëmbajtje specifike, duhet të mbahet në qumësht dhe era kundërmon, prandaj nuk është e lehtë të përdoret. Ndërsa vazhdoi se axha Shaqë e ka rikonstruktuar gajden dhe e ka kthyer në funksion të përhershëm, duke përdorur qesen e plastikës brenda dhe nga jashtë është e mbështjellë me material. “Axha Shaqë ka qenë një muzikant fantastik, një inovator i përmasave globale, njohës shumë i mirë i muzikës sonë folklorike dhe mjeshtër i instrumenteve të ndryshme”.

Platforma digjitale ”Okarina e Shaqir Hotit”, e cila ende nuk është e kompletuar plotësisht, mbetet e hapur për t’u pasuruar me informacione shtesë dhe synon të vendoset në serverin shtetëror. Kjo platformë përmban biografi, informacione për instrumentet, xhirime, fotografi, incizime audio të tingujve të instrumenteve, tregime të ndryshme si dhe digjitalizimin e Okarinës në instrument virtual.

“Përmes digjitalizimit të instrumentit të okarinës, mund të krijohen edhe tinguj bashkëkohorë. Përveç okarinës, do të ketë edhe një paletë të tingujve të tjerë të instrumenteve të bacës Shaqë, të cilat pastaj njohësit e muzikës mund t’i përdorin në punën e tyre”, është shprehur jazz pianisti Ilir Bajri.

“Unë jam zgjuar nga gjumi çdoherë me tingujt e gjyshit” u shpreh mbesa e Shaqir Hotit, Vlora Hoti e cila duke falenderuar ideatorët e kësaj platforme digjitale tha se “Ndjehet krenare që edhepse gjyshi i saj nuk jeton më, veprat e tij jetojnë me ne.“ 

Dëshira e madhe e Shaqir Hotit, ishte që njohuritë e tij t’i përcjellë, jo vetëm te kolegët dhe studiuesit, por në veçanti gjeneratave të reja, në mënyrë që kjo pasuri kulturore të trashëgohet brez pas brezi. 

Go to TOP