Tragjedi në Australi: Një helikopter përplaser në një hotel

Një burrë ka vdekur pasi një fluturim i paautorizuar me helikopter në Queensland, Australi, përfundoi duke u përplasur në çatinë e një hoteli në orët e hershme të mëngjesit, duke shkaktuar evakuimin e qindra njerëzve nga ndërtesa pasi flakët përfshiu avionin.

Autoritetet në qytetin e Cairns thanë se nuk e kanë konfirmuar ende identitetin e pilotit, arsyen e fluturimit të tij apo mënyrën se si helikopteri turistik arriti të ngrihej nga aeroporti i Cairns.

Një çift që po qëndronin në hotel u dërguan në spital për thithjen e tymit, por tani janë liruar, u tha gazetarëve ushtruesi i detyrës së mbikëqyrësit të policisë së Queensland, Shane Holmes. Askush tjetër në tokë nuk u lëndua.

Holmes tha se nuk dihet ende nëse njeriu që drejtonte helikopterin kishte patentë piloti apo nëse punonte për kompaninë që zotëronte avionin, Nautilus Aviation.

“Nuk ka asnjë kërcënim të mëtejshëm për komunitetin dhe ne besojmë se ky është një incident i izoluar,” tha Holmes.

Nautilus Aviation tha në një deklaratë me shkrim se fluturimi ishte “i paautorizuar”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Menaxheri i përgjithshëm i Aeroportit Cairns, Richard Barker tha se gjetjet fillestare të auditimit të hënën treguan se “nuk kishte kompromis të programit apo procedurave të sigurisë së aeroportit”.

Rreth 400 njerëz u evakuuan nga hoteli pas përplasjes, që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në distriktin turistik të ngarkuar të Cairns – një qytet tropikal me 150,000 banorë në Queensland-in e largët – tani në sezonin e pikut turistik. Dëshmitarët i thanë mediave lokale se përplasja dukej si një shpërthim bombë.

Tymi dhe flakët vinin nga çatia e hotelit Doubletree Hilton dhe një nga krahët e rotorit të helikopterit përfundoi në pishinën e hotelit, raportoi televizioni australian ABC.

Hoteli mbetet i rrethuar ndërsa kontrollohet qëndrueshmëria strukturore e tij.

Go to TOP