Themelohen strukturat për organizimin e Epopesë së UÇK-së
Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kategoritë e dala nga lufta kanë marrë vendim për themelimin e një Këshilli Organizues, me qëllim koordinimin dhe organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje historike për kombin shqiptar.
Sipas vendimit të përbashkët, në frymën e përgjegjësisë morale dhe kombëtare, është vendosur që të themelohet Këshilli Organizues, i cili do të merret me planifikimin dhe realizimin e të gjitha aktiviteteve që lidhen me Epopenë e UÇK-së.
Këshilli Organizues do të përbëhet nga përfaqësues të strukturave kryesore të dala nga lufta, si dhe nga figura të njohura të saj. Në përbërje të tij janë: Hysni Gucati – OVL-UÇK, Fadil Shurdhaj – SHIL-UÇK, Xhavit Jashari – SHFD-UÇK, Ali Ahmeti – Ushtria Çlirimtare Kombëtare, Shefket Musliu – Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Sokol Poga – OVL-UÇK, Tiranë, Agim Çeku, Lahi Brahimaj, Shukri Buja, Ahmet Isufi, Rahman Rama, Nuredin Lushtaku, Abdyl Mushkolaj, Latif Gashi dhe Rustem Berisha.
Në pikën e tretë të vendimit theksohet se në ditët në vijim do të bëhet plotësimi i përbërjes së Këshillit Organizues me anëtarë të tjerë të deleguar nga strukturat përkatëse.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe obligon të gjitha strukturat e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së për zbatimin e tij.
Dokumenti është nënshkruar me respekt nga OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, të cilat kanë marrë përsipër organizimin dinjitoz të aktiviteteve përkujtimore në nderim të Epopesë së UÇK-së. /Kosova.info/
